Për shkak të tragjedisë në Koçan, Gjykata Kushtetuese shtyu seancën për Ligjin e Gjuhëve

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Mars, 2025 11:47 Përditësuar

Për shkak të tragjedisë në Koçan, Gjykata Kushtetuese shtyu seancën për Ligjin e Gjuhëve

Gjykata Kushtetuese në një mbledhje pune sot ka vendosur që të shtyjë seancën përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, e cila ishte caktuar për më 20 mars. Gjykata ka marrë parasysh shtatë ditë zie të shpallur për viktimat e tragjedisë së Koçanit “dhe traumën që po kalon shoqëria, qytetarët dhe shteti”, thonë nga kjo Gjykatë, transmeton Portalb.mk.

“Data e mbajtjes së seancës përgatitore të Ligjit për përdorimin e gjuhëve do të përcaktohet në mënyrë shtesë”, thuhet në njoftim.

Gjyqtarët nga Komisioni i Venecias, profesorë dhe ekspertë vendas, të enjten duhej të jepnin mendimin e tyre për çështjet e kontestuara juridike të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Seanca përgatitore ishte planifikuar të mbahej më 20 mars në Gjykatën Kushtetuese.

Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Mars, 2025 11:47 Përditësuar