Taravari nga Sofje: Falënderoj Bullgarinë dhe popullin bullgar për solidaritetin e treguar
Dëshiroj të shpreh falnderim për shtetin tonë fqinj, Bullgarinë, Ministrinë, Presidentin dhe mbarë popullin bullgar për këtë solidaritet, i cili me të vërtetë lë përshtypje të fortë në vendin tonë, tha sot në një konferencë për shtyp në “Pirogov”, ministri i Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari.
Siç raporton BTA, Taravari dhe ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski kanë udhëtuar për në Sofje për të vizituar të shtruarit në spitalin “Pirogov”, të cilët u lënduan në zjarrin në Koçan të dielën.
“Në fillim dua ta falënderoj ministrin e Shëndetësisë, sepse të dielën rreth orës 3 ka ndodhur një tragjedi dhe në ora 8:30 kam biseduar me ministrin Kirilov, i cili ishte ministri i parë i Shëndetësisë që më thirri dhe atë ditë bisedova ndoshta me 15 ministra të shëndetësisë nga rajoni dhe nga vendet e tjera fqinje dhe mike të Maqedonisë. Dua të falënderoj Presidentin e Bullgarisë, i cili ishte në komunikim të rregullt me Presidentin tonë, si dhe Kryeministrin, i cili ishte në kontakt të vazhdueshëm me tonën. Jam mirënjohës edhe për gjendjen e pacientëve në Pirogov”, u tha Taravari gazetarëve në Qendrën Emergjente.
Ai informoi se i kishte vizituar të nëntë pacientët që merrnin frymë me ndihmën e aparateve dhe shtoi se dy prej tyre tashmë janë ekstubuar, që është një shenjë e mirë.
“Ndërsa sipas mjekëve, ka shumë mundësi që nesër të ekstubohen edhe dy të tjerë”, tha Taravari.
Në pyetjen e gazetarëve se sa vjeç ishin pacientët e ekstubuar, ai tha se ishin nga 15 deri në 31 vjeç.
Ministri i Shëndetësisë shtoi se sot është planifikuar transporti i 19 pacientëve të tjerë jashtë vendit, por nuk ka specifikuar se në cilat shtete do të trajtohen.
Në Bullgari, ku sot është ditë zie për tragjedinë e Koçanit, janë transportuar 14 të lënduar nga tragjedia e Koçanit.