Prokuroria kërkon paraburgim për 7 zyrtarë të policisë, dyshohen për licencën e “Pulse”
Nga Prokuroria konfirmojnë se 7 zyrtarë të policisë i janë shtuar listës së personave të dyshuar pas ngjarjes tragjike në Koçan, ku si pasojë e zjarrit në diskotekën “Puls”, jetën humbën 59 persona, përcjell TV21.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat në fjalë dyshohet se kanë kryer vepër penale të “vepra të të rënda kundër sigurisë publike”, gjegjësisht dyshohet se i kanë mundësuar pronarit të diskotekës të marrë licencë në mënyrë të kundërligjshme.
“Të dyshuarit, me përgatitjen, nënshkrimin dhe miratimin e pëlqimit pozitiv, i kanë mundësuar personit juridik që të marrë licencë për të ushtruar veprimtari hoteliere – kabare, edhe pse objekti nuk i plotësonte kushtet ligjore për funksionim. Të dyshuarit së bashku shkaktuan rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe gjymtyrët e njerëzve, duke lejuar që kabareja të funksiononte në kushte nën standarde, duke rezultuar në një zjarr në objekt më 16 mars 2025, ku 59 persona humbën jetën dhe 196 pësuan lëndime të rënda. Duke konsideruar se janë plotësuar kushtet, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të shtatë personat”, thonë nga Prokuroria.