Marrëveshja Kosovë, Kroaci, Shqipëri nxit debatin në Ballkan dhe më gjerë!

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Mars, 2025 23:07

Marrëveshja Kosovë, Kroaci, Shqipëri nxit debatin në Ballkan dhe më gjerë!

 Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka thënë se marrëveshja në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes është një marrëveshje e mirë, derisa ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, s’ka pse shqetësohet meqë marrëveshja në mes të këtyre tri shteteve është për mbrojtje.

Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes ka marrë shumë vëmendje dhe ka nxitur reagime të shumta, sidomos në Serbinë e Aleksandër Vuçiqit.

Ka qenë vetë kreu i shtetit serb që i ka dhanë dramë gjithë ngjarjes. Duke folur në Bruksel pas takimit me Sekretarin e NATO-s, Vuçiq kishte bërë përpjekje për ta paraqitur marrëveshjen si një zhvillim kundër Serbisë. Ndërkohë që Ministria e Puënve të Jashtme e Serbisë kishte thënë se do t’iu kërkonte llogari Kroacisë dhe Shqipërisë për këtë marrëveshje me Kosovën.

“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, ka deklaruar Vuçiq për gazetarët në Bruksel më 19 mars.

Megjithatë ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, s’ka pse të shqetësohet meqë marrëveshja mes tri shteteve ka të bëjë me aspekte të mbrojtjes.

“Nuk ka asnjë arsye që presidenti i Serbisë të shqetësohet, sepse bëhet fjalë për një marrëveshje mbrojtjeje”, ka thënë ish-presidenti Mesiç për Express.

Marrëveshjen në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë e ka cilësuar si një marrëveshje të mirë, me mundësi që t’i bashkohen edhe shtete të tjera.

“Marrëveshja e mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është e mirë, me mundësinë që edhe vende të tjera të bashkohen”, ka përfunduar ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç.

Edhe ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka komentuar marrëveshjen e nënshkruar së fundmi në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, duke theksuar se ajo është krijuar për të rritur bashkëpunimin mes këtyre shteteve dhe nuk është drejtuar kundër Beogradit. Shea ka vlerësuar interesin e shprehur nga shtetet e tjera të rajonit për t’u bashkuar në këtë marrëveshje, duke theksuar rëndësinë e rritjes së përgjegjësisë për sigurinë e përbashkët. Marrëveshja e nënshkruar më 18 mars është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të aleancave ushtarake dhe bashkëpunimit rajonal.

Marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë ka për qëllim forcimin e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit ushtarak mes këtyre shteteve. Shea ka theksuar se ky angazhim është një hap pozitiv në forcimin e stabilitetit në Ballkan, ku çdo shtet do të kontribuojë në mënyrë aktive në ruajtjen e sigurisë dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta. Ai ka shtuar se ky bashkëpunim është një mesazh i qartë për çdo kërcënim të mundshëm dhe një shembull për shtetet e tjera që të bashkohen në nismat e ngjashme, për të siguruar një rajon të qëndrueshëm dhe paqësor.

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Mars, 2025 23:07