Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu në paraburgim
Kryetari i Bashkisë së Stambollit dhe kundërshtari i presidentit Rexhep Tayip Erdogan, Ekrem Imamoglu, është lënë në paraburgim me dyshimin për korrupsion. Sipas njoftimeve të agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, bazuar në kërkesën e prokurorisë së Stambollit, gjykata vendosi që 53-vjeçari të qëndrojë në paraburgim deri sa të nisë procesi gjyqësor. Përveç korrupsionit politikani i opozitës akuzohet edhe për vepra “terroriste”.
Politikani i CHP-së Imamoglu i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato si “fajësime dhe shpifje të paimagjinueshme”.
Marrje e gjatë në pyetje ditën e shtunë
Mëngjesin e së shtunës Ekrem Imamoglu u mor në pyetje nga policia për pesë orë nën akuzën për “mbështetje të një organizate terroriste”. Akuza lidhet me lidhjet e pretenduara të politikanit të CHP-së me Partinë e ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Gjatë marrjes në pyetje nga policia politikani i opozitës tha se “akuzat e pamoralshme dhe të pabaza” kishin për qëllim cenimin “e reputacionit” dhe “të besueshmërisë” së tij. Procesi kundër tij jo vetëm që ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Turqisë, por edhe ndjenjën e drejtësisë dhe të besimit të opinionit publik turk tek ekonomia, shtoi 53-vjeçari.
Pas marrjes në pyetje nga policia kryetari i bashkisë u dërgua të shtunën në mbrëmje në gjykatën e Stambollit për t’u marrë në pyetje nga prokurorët, tha një zëdhënës i bashkisë. Marrja në pyetje lidhej me akuzat për mbështetje të një organizate terroriste dhe për korrupsion.
Përpjekje për të eliminuar një kundërshtar politik
Kritikët e shohin arrestimin e Imamoglut si një përpjekje të qeverisë për të eliminuar njc kundërshtar politik të presidentit Erdogan dhe i konsiderojnë akuzat si të sajuara. Imamoglu planifikon të kandidojë në zgjedhjet presidenciale turke të vitit 2028. Partia e tij, Partia Socialdemokrate CHP, do ta shpallë atë si kandidat këtë të dielë.
Megjithatë Ekrem Imamoglu mund të jetë kandidat zyrtar për president vetëm nëse Komisioni Zgjedhor Turk YSK, i cili konsiderohet si pro-qeveritar, e konfirmon kandidaturën e tij. Por nëse hetimet për terrorizëm nuk janë ndërprerë deri në momentin e shqyrtimit të kandidaturës së tij nga komisioni, atehere kjo kandidaturë nuk ka gjasa të pranohet.
Përveç akuzave kandidatura e Ekrem Imamoglut rrezikohet edhe prej një veprimi tjetër: të martën atij iu revokua diploma e universitetit. Ky vendimi nuk është ende i formës së prerë. Diploma universitare është parakusht për të kandiduar për president në Turqi.
Protestat në shumë qytete turke
Protestat kundër arrestimit të Imamoglu vazhdojnë. Megjithë praninë masive të policisë, mijëra vetë dolën në rrugët e Stambollit të shtunën për të katërtën mbrëmje me radhë. Policia përdori plumba gome, granata trullosëse, apo gaz lotsjellës në përleshjet gjatë protestave, njofton agjencia e lajmeve AFP.
Protestat masive pati edhe në kryeqytetin turk, Ankara, dhe në qytetin perëndimor të Izmirit. Në Ankara policia përdori pompa uji për të zmbrapsur demonstruesit. Në Izmir, qyteti i tretë më i madh i Turqisë, policia bllokoi një marshim proteste të studentëve drejt zyrave lokale të AKP-së.
Sipas qeverisë turke gjatë protestave u arrestuan sërish qindra vetë. Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, tha se u arrestuan 323 vetë. “Asnjë përpjekje për të rrezikuar rendin publik nuk do të tolerohet”, tha ministri.