Waltz: SHBA do t’i kërkojë Rusisë të kthejë fëmijët e rrëmbyer në Ukrainë
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit të SHBA, Michael Walz tha se SHBA mund t’i kërkojë Rusisë të lirojë, siç i quajti ai, fëmijët ukrainas të deportuar ilegalisht, “si pjesë e ndërtimit të besimit”.
Ai e tha këtë në një intervistë me CBS News, duke iu përgjigjur një pyetjeje se pse Departamenti Amerikan i Shtetit ndaloi financimin e një programi të Universitetit Yale që ndihmon në gjetjen e fëmijëve të rrëmbyer ukrainas.
Walz tha se Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio po bën një rishikim të të gjitha këtyre programeve dhe se ai “nuk mund të flasë në mënyrë specifike për këtë program”.
“Presidenti Trump foli me të dy liderët për shkëmbimin e të burgosurve. Rusët dhe ukrainasit shkëmbyen menjëherë pothuajse 200 të burgosur pas bisedimeve. Ai gjithashtu diskutoi të ardhmen e këtyre fëmijëve. Ky është sigurisht një nga hapat kyç për ndërtimin e besimit”, tha këshilltari i Trump.
Kur u pyet nëse SHBA do të kërkonte lirimin e këtyre fëmijëve si një hap drejt ndërtimit të besimit, Walz u përgjigj pozitivisht.
“Ne po diskutojmë një sërë masash për ndërtimin e besimit. Ky është një prej tyre”, tha ai.