Komisionerja për zgjerimin e BE e konfirmon: Shqipëria mbyll negociatat në 2027

Flaka
Botuar nga Flaka 27 Mars, 2025 21:36

Komisionerja për zgjerimin e BE e konfirmon: Shqipëria mbyll negociatat në 2027

Mbyllja e negociatave me BE-në brenda vitit 2027 është një prej premtimeve që po artikulon ditët e fundit kryeministri i vendit Edi Rama teksa prezanton kandidatët për zgjedhjet e 11 majit.

Por deklaratat e tij i përforcoi sot nga Sllovenia komisionerja e zgjerimit Marta Kos.

Në një intervistë për radio televizionin slloven, duke folur për prioritetet e Komisionit Europian tha se gjatë mandatit të saj janë dy vendet që do të përmbyllin negociatat, Mali i Zi dhe Shqipëria.

“Dy shtete nga Ballkani Perëndimor janë në pararojë të procesit të anëtarësimit në BE. Mali i Zi që renditet në krye, vend me të cilin negociatat mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2026. Shqipëria është në vendin e dytë dhe besoj se mund të kalojë vijën e finishit për ti mbyllur negociatat në fund të vitit 2027”, shprehet Kos.

Në këtë drejtim, Komisionerja Kos tha se vendimi përfundimtar do të merret nga shtetet anëtare të BE-së.

“Jam e vetëdijshme për rëndësinë e jashtëzakonshme të komunikimit sepse nuk mund ta imagjinoj që pasi të kenë përfunduar të gjitha negociatat, një shteti anëtar do të thoshte jo, ne nuk e duam atë vend në Bashkimin Europian, prandaj jam optimiste për të dyja shtetet pararojë, Shqipërinë dhe Malin e Zi”, shton Kos.

Sinjalet pozitive për Shqipërinë, zonja Kos i dha edhe gjatë vizitës së saj të parë si komisionere në Tiranë pak javë më parë, ku vlerësoi rrugën e integrimit të Shqipërisë, dhe mbështetjen me 1 miliard euro për reformat në Shqipëri.

Flaka
Botuar nga Flaka 27 Mars, 2025 21:36
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media