Zyberi kërkon që të sillet ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Prill, 2025 21:59

Zyberi kërkon që të sillet ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Avokati i popullit Naser Zyberi bëri apel deri te Qeveria dhe Kuvendi që sa më shpejtë të sjellin ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Zyberi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e disa dispozitave për ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe administrativ dhe disa akte nën ligjore, ka krijuar zbrazëti juridike e cila e dëmton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

“Apeloj deri te Qeveria deri te parlamenti që sa më shpejtë të tejkalohet kjo zbrazëtirë juridike të sillet ligji aq i proklamuar për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe me këtë të pamundësohet procesi i deformimit të implementimit të përcaktimit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, tha Zyberi.

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti mbrëmë në emisionin Click Plus bëri të ditur se ditëve në vijim do të prezantohet Ligji për përfaqësim të drejtë dhe do të hyjë në procedurë.

“Ligji për përfaqësim të drejtë ditëve në vijim do të prezantohet dhe do të hyjë në procedurë. Përkundër asaj ne kemi marrëveshje politike për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe sipas analizave kur nuk ka ekzistuar balancuesi me marrëveshje politike është bërë rritja rapide e përfaqësimit të shqiptarëve në Qeveri”, deklaroi Mexhiti.

Zyberi foli edhe për gjuhën shqipe, ndërsa i bëri apel edhe Gjykatës Kushtetuese të mos merret me politikë, por siç tha të mbrojë Kushtetutën.

Ndryshe, Avokati i Popullit, Naser Zyberi, sot e prezantoi Raportin Vjetor për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024. Qytetarët më së shpeshti janë ankuar për shkeljen e të drejtave të tyre nga shërbimet publike, konkretisht nga pushteti lokal dhe ai qendror, nga personat juridikë që ushtrojnë autorizime publike, si dhe nga subjekte të tjera.

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Prill, 2025 21:59
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media