Murtezani: Taravari e ndryshoi prioritetin e VLEN-it

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 16 Prill, 2025 22:05

Murtezani: Taravari e ndryshoi prioritetin e VLEN-it

Nëse Taravari publikisht flirton me Ahmetin, dhe nuk e fsheh atë, e sjellë në pikëpyetje tërë funksionimin e Qeverisë sepse si do të jetë ai nëse ai ka lidhje me BDI-në. Kjo krijon shqetësim dhe duhet të spastrohet, deklaroi Orhan Murtezani, ministër i Çështjeve Evropiane dhe përfaqësues i koalicionit VLEN nga partia Alternativa.

Në intervistën e  sotme në “Top tema” në TV Telma, Murtezani tha se kur e kanë formuar koalicionin VLEN, premisa kryesore ishte “të krijohet antipod i Bashkimit Demokratik për Integrim i cili duhej të luftonte kundër regjimit të instaluar nga BDI-ja me krim dhe korrupsion”.

“Rrugës, njëri nga partnerët tanë në koalicion e ndryshoi prioritetin dhe filloi të llogarisë se nuk është aq e rëndësishme lufta kundër krimit dhe korrupsionit por sa komuna do të fitojë në Zgjehdjet lokale dhe në atë mënyrë e hoqi barrierën që të mos flirtohet dhe komunikohet me BDI-në, por filloi të shohë edhe bashkëpunëtor tek BDI-ja”, theksoi Murtezani.

Sipas tij, dekalrata e Arben Taravarit se Qeveria nuk ka reflektuar mjaft, është vetëm “kërkimi i një alibie që të bashkëpunohet me BDI-në”, ndërsa deklarata se “Gostivari është vështirë i fitueshëm me VLEN-in”, siç tha, do të thotë se mund ta fitojë me BDI-në.

“Këtu është thelbi. Zbulohet plani për të shkuar në prehër të Ahmetit, ndërkaq atë po e bën me akuza të partnerëve të deridjeshëm. Që të ketë alibi, duhet ta sulmojë koalicionin VLEN, e me atë e sulmon edhe veten. Janë joserioze akuzat se nuk po reflektohet mjaftueshëm, ndërkaq të jeshë pjesë e Qeverisë. Nëse konsideron se ai vetë nuk investon mjaftueshëm, le të shkojë në opozitë. Nuk ka logjikë nëse opsioni është të shkojë me BDI-në ‘për të qenë’”, tha Murtezani.

Kumtoi se Taravarit i janë ofruar 40 për qind të vendeve për kryetarë komunash, ndërsa 60 për qind të tjerat për tre partitë e tjera në koalicionin VLEN.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 16 Prill, 2025 22:05
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media