BDI: Qeveria e Mickoskit po e izolon vendin, kërkojmë zgjedhje të parakohshme
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj qeverisë së re të Hristijan Mickoskit, duke e akuzuar atë për sjellje të papërgjegjshme që, sipas BDI-së, po e rrezikon seriozisht të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, transmeton Flaka
Në një kumtesë të publikuar sot, BDI thekson se edhe pse integrimi evropian u shpall si prioritet kryesor i qeverisë së re, realiteti është krejt tjetër. “Kryeministri dhe rrethi i tij më i ngushtë janë tërhequr krejtësisht nga dosja evropiane – tashmë pa asnjë përpjekje për ta fshehur këtë në paraqitjet publike,” thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, qeveria aktuale jo vetëm që refuzoi në mënyrë absurde ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e disa pakicave, por vetë Mickoski po mburret se ka mashtruar Greqinë përmes shkeljes së Marrëveshjes së Prespës, përfshirë shmangien e përdorimit të emrit “Maqedonia e Veriut”.
Kritika të forta drejtohen edhe ndaj diskursit të brendshëm që, sipas BDI-së, është histerik dhe i fokusuar në akuza të ndërsjella për “tradhti”. Në të njëjtën kohë, qeveria po përkeqëson marrëdhëniet me fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë përmes një retorike konfrontuese.
“Vendi po lidh partneritete të dyshimta me autokratë, po merr financime nga burime të paqarta dhe po paralajmëron hyrjen e bizneseve me reputacion problematik”, paralajmëron BDI, duke shtuar se Maqedonia e Veriut sot është më e izoluar se kurrë më parë.
BDI përfundon se vendi ka nevojë për një platformë të re politike dhe një vizion të qartë evropian. “Kjo qeveri e ka humbur plotësisht legjitimitetin për ta udhëhequr këtë proces. Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare,” përfundon kumtesa. Flaka Media