Seferi Selimi: Iniciativa “Bashkë” kundër axhendës revizioniste të VMRO-DPMNE-së

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Maj, 2025 22:33

Seferi Selimi: Iniciativa “Bashkë” kundër axhendës revizioniste të VMRO-DPMNE-së

Analisti politik Seferi Selimi, në një prononcim për Agjencinë e lajmeve “Flaka”, ka komentuar iniciativën “Bashkë” të nënkryetarit të BDI-së Bujar Osmani. Sipas Selimit, ky projekt synon të tejkalojë ndarjet partiake dhe të unifikojë forcat politike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut për të mbrojtur arritjet politike dhe juridike që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit.

”Narrativi politik që Bujar Osmani dhe BDI përpiqen të imponojnë synon tejkalimin e ndarjeve partiake përreth një kauze më të madhe: mbrojtjen e të arriturave politike dhe juridike të shqiptarëve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Ky narrativ është i përqendruar në denoncimin e angazhimeve të VMRO-DPMNE-së, si forcë udhëheqëse e pushtetit ekzekutiv, e cila – sipas tyre – po ndjek një agjendë të heshtur revizioniste ndaj statusit të shqiptarëve në shtet”, thotë Selimi.

Selimi thekson se ky pozicionim i Osmanit përputhet me diskursin e partive të tjera brenda Frontit Evropian, duke përfshirë edhe ASH-në e Arben Taravarit.

“““Pas largimit të Taravarit nga qeveria, edhe ai ka ngritur akuza të ngjashme për tentativat përjashtuese të pushtetit aktual ndaj komunitetit shqiptar,”

”Ky pozicionim ka një logjikë të brendshme politike dhe përputhet gjerësisht me diskursin e partive të tjera brenda Frontit Evropian. Së fundmi, kjo është konfirmuar edhe nga përvoja direkte e fraksionit të Arben Taravarit, i cili, pas largimit nga qeveria, ka artikuluar akuza të ngjashme për tendencat përjashtuese dhe margjinalizuese të pushtetit aktual”, ka deklaruar analisti Selimi.

Duke vlerësuar rëndësinë e bashkimit, Selimi ka nënvizuar:

“Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, krijimi i një koalicioni të gjerë politik dhe shoqëror është një domosdoshmëri strategjike – jo vetëm për të ndalur tendencat e revizionizmit, por edhe për të garantuar avancimin e pozitës së tyre institucionale në të ardhmen.”

Selimi nënvizon se sfida kryesore mbetet ruajtja e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Iniciativa ‘Bashkë’ synon që shqiptarët të mos bien pre e fragmentimit politik dhe të qëndrojnë njëzëri kundër çdo tentative që kërcënon ato të arritura,” ka përfunduar Selimi.

Iniciativa “Bashkë” u prezantua javën e kaluar nga Bujar Osmani, i cili ftoi partitë e tjera shqiptare të krijojnë një front të përbashkët politik e qytetar. Sipas tij, koalicioni i gjerë është i domosdoshëm për të adresuar “kërcënimet që vijnë nga forcat politike që synojnë ta zhveshin komunitetin tonë nga privilegjet kushtetuese”.

Përfaqësues të VMRO-DPMNE-së ende nuk janë shprehur drejtpërdrejt për iniciativën e Osmanit, megjithëse zyrtarët e kësaj partie më parë kanë deklaruar se pretendimet për revizionizëm janë të pabaza. Flaka Media

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Maj, 2025 22:33
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media