A kanë Mickoski dhe VMRO-DPMNE një qasje tutore ndaj shqiptarëve?

Flaka
Botuar nga Flaka 3 Qershor, 2025 11:00

A kanë Mickoski dhe VMRO-DPMNE një qasje tutore ndaj shqiptarëve?

Në një periudhë të ndërlikuar politike dhe sociale në Maqedoninë e Veriut, pozita e komunitetit shqiptar po përballet me sfida të reja dhe shqetësime të thella. Rikthimi në pushtet i VMRO-DPMNE-së dhe politika e saj nxisin debat dhe pasiguri për të ardhmen e marrëveshjeve historike, si Marrëveshja e Ohrit, dhe për arritjet e shqiptarëve në këtë shtet multietnik. Liderët politikë shqiptarë dhe analistët theksojnë nevojën urgjente për unitet dhe bashkëpunim, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e fituara dhe të sigurohet një rrugë e qartë drejt integrimit evropian dhe zhvillimit të barabartë për të gjithë qytetarët. Në këtë kontekst, diskutohet edhe rëndësia e partneritetit, solidaritetit dhe reflektimit mbi sfidat që paraqiten për komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, shkruan FrontLineMk

Arben Taravari:
“Mes shqiptarëve, përshtypja është sikur jemi në komunizëm, kur kishte disa shqiptarë në pushtet që ishin të bindur ndaj regjimit komunist të atëhershëm, ishin servilë, ulen aty, nuk flasin asgjë ose nuk insistojnë për të drejtat e të tjerëve që jetojnë në shtet,” tha Arben Taravari – lider i Aleancës për Shqiptarët.

Megjithatë, ai shton se është shumë e rëndësishme që ne kemi bërë një hap, duke dalë nga qeveria për të dhënë një alarm, një sinjal që të përpiqemi të zgjohemi, se mes gjërave të tjera, e rëndësishme është bashkëjetesa mes nesh që jetojmë këtu, rruga evropiane, decentralizimi, që ishin platforma jonë së bashku me VMRO-DPMNE-në, e cila është partia më e madhe, dominonte në bllokun maqedonas, por sa herë që bashkëpunon me dikë, nuk ka rëndësi sa i madh është ai, por shumë rëndësi ka partneriteti.

Pra, hyn në qeveri si partner, për të ndihmuar dhe për t’u ndihmuar njëri-tjetrit. Por mbi të gjitha, për t’u ndihmuar qytetarëve që të shohin shpresë në shtet, që me të vërtetë po ecim në rrugën më të mirë për të gjithë ne që jetojmë në këtë shtet,” theksoi ai.

Driton Zenku:
Analisti politik Driton Zenku mendon se me rikthimin e VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe me retorikën e kryeministrit Hristijan Mickoski, po rritet shqetësimi për të ardhmen e Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Deklaratat se ‘nuk do të lëvizë asnjë milimetër’ në raport me Bullgarinë vetëm forcojnë përshtypjen që vendi po shkon drejt izolimit dhe jo integrimit evropian. Në këtë kontekst, shqiptarët jo vetëm që injorohen si faktor politik i barabartë, por rrezikojnë edhe degradim institucional sistematik. Emërimet pa konsultim me përfaqësuesit shqiptarë, injorimi i të drejtave gjuhësore dhe kulturore, si dhe marginalizimi i kuadrove shqiptare në administratë tregojnë një trend të rrezikshëm drejt politikës njëkombëshe,” tha Zenku për Frontline.

Ai shton se më shumë se dy dekada pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, shumë çështje mbeten të hapura.

“Në vend që të përmirësohet shoqëria multietnike, po shohim përpjekje për të minuar atë. Nëse shqiptarët nuk dalin me një zë të vetëm dhe platformë të qartë, ekziston rreziku real që të humbasin të drejtat që kanë fituar. Nuk është koha për ndarje, por për front të bashkuar për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të ardhmes euroatlantike të vendit,” theksoi ai.

Destan Jonuzi:
Gazetari dhe analisti politik Destan Jonuzi tha për Flaka se koha për një unitet të vërtetë politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut është më urgjente se kurrë.

Kjo vjen pas ngjarjeve të fundit pas fitores së VMRO-DPMNE-së dhe formimit të qeverisë së re me në krye Hristijan Mickoskin, që shkaktoi shqetësim serioz për pozicionin e shqiptarëve në këtë shtet multietnik.

“Koha për unitet politik shqiptar duket se po bëhet gjithnjë e më urgjente, veçanërisht në dritën e ngjarjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, ku qeveria e drejtuar nga Hristijan Mickoski (VMRO-DPMNE) ka krijuar shqetësim për pozicionin e shqiptarëve në këtë shtet të përbashkët. Pse është koha për unitet? Marrëveshjet politike të mëparshme si ajo e Ohrit janë vënë në dyshim, ndërsa tani po ndodh një degradim institucional, sidomos në përdorimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë. Uniteti nuk është vetëm simbolik, por është rruga e vetme përpara në kushtet e sfidave të reja politike dhe gjeopolitike që po formohen shpejt,” tha Jonuzi.

Kim Mehmeti:
Në kolumnën e tij më të fundit, analisti politik Kim Mehmeti shkruan se VLLN i ka vendosur shqiptarët në rrugën që të mos përfaqësohen nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur në të ardhmen, por nga shqiptarë të zgjedhur nga sunduesi maqedonas, duke i bërë ata politikisht të pavlefshëm.

“Nga ana tjetër, kanë kaluar tre dekada që askush nga vasalët shqiptarë nuk pati guximin të thotë se shqiptarët këtu nuk duhet të kontribuojnë dhe të pranojnë këtë Maqedoni derisa ajo t’u kompensojë për grabitjen që u bë duke i përjashtuar nga privatizimi i pasurisë shoqërore. Sepse ka kaluar thuajse një vit që këta ‘vlasnikë’ vazhdojnë betejën kundër hajdutëve të DUI-së, duke na quajtur shërbëtorë të kësaj partie opozitare, ndërsa ne që dy dekada e kritikojmë partinë që madje ka adoptuar emblemën e UÇK-së… prandaj na quajnë hipokritë të DUI-së, madje edhe ata nga ‘Klani Ljerce’ (Lëvizja BESA) që u afruan me SDSM vetëm për të shpëtuar lëkurën politike shqiptare, si dhe ata nga ALTERNATIVA pa alternativë, që dikur ishin pjesë e qeverisë së SDSM-së si fëmijë të adoptuar të DUI-së,” shkruan Mehmeti.

Pas largimit të Aleancës për Shqiptarët, qeveria e Mickoskit mbetet me përfaqësim simbolik të shqiptarëve. Ajo nuk ka mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve shqiptarë në Parlament. Po ashtu, ngecja në procesin e integrimit evropian e bën këtë qeveri të paqëndrueshme. Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në vjeshtë. Sipas analistëve politikë, nëse koalicioni VLLN, partner i Mickoskit, del me rezultat të dobët në këto zgjedhje, atëherë VMRO-DPMNE do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në mars 2026, ndërsa ndryshimi i Kodit zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura do të përdoret si alibi nëse të gjitha partitë bien dakord.

Flaka
Botuar nga Flaka 3 Qershor, 2025 11:00
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media