Mickoski: Ligji për Përfaqësim të Drejtë do të dërgohet në Komisionin e Venecias – Procedurë që mund të zgjas 6 vjet
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat pritet të kalojë së shpejti në një nga seancat qeveritare, pa dhënë një afat të saktë për miratimin e tij. Pas kalimit në qeveri, ligji do t’i dërgohet për vlerësim Komisionit të Venecias, një procedurë që sipas praktikave të mëparshme mund të zgjasë edhe deri në një vit, shkruan Flaka
“Gati është ligji për Përfaqësim të Drejtë, pritet në seancat e radhës të qeverisë të kalojë, të informohet publiku, pastaj do ta çojmë në Komisionin e Venecias për mendim. Normalisht do të presim mendim nga Komisioni i Venecias dhe të shohim nëse kemi bërë diçka mirë, menjëherë e lëshojmë në procedurë parlamentare,” deklaroi Mickoski.
Ai theksoi rëndësinë e respektimit të këtij ligji, si kategori kushtetuese që synon bashkimin e shoqërisë dhe mbrojtjen e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve, veçanërisht shqiptarëve në nivel qendror.
“Ka parti politike që kur nuk merren me nekrofili, merren me nacionalizëm. Nuk na duhet ndasi tani, kur po përpiqemi që ta bashkojmë shoqërinë. Është kategori kushtetuese dhe duhet të respektohet, njëjtë siç është kategori kushtetuese se gjuhë zyrtare është maqedonishtja dhe shkrimi qirilik, kurse bashkësitë që janë më tepër se 20%, në këtë rast shqiptarët, në nivel qendror mund ta përdorin gjuhën shqipe si gjuhë të tyre, si gjuhë zyrtare,” tha Mickoski.
Ligji për përdorimin e gjuhëve u dërgua në Komisionin e Venecias më 22 janar të vitit 2019. Mendimi miqësor nga Komisioni mbërriti më 4 maj të vitit 2025. Plot gjashtë vjet pritje, ndërkohë që kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se kërkesa për mendim nga Komisioni i Venecias do të përsëritet edhe për ligjin e ri për përfaqësim të drejtë gjatë punësimeve në administratën publike, transmeton Flaka.
Në ndryshim nga ligji për gjuhët, i cili hyri në fuqi para se të dërgohej për mendim, Mickoski theksoi se propozim-ligji për përfaqësim të drejtë fillimisht do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias, dhe vetëm pas marrjes së mendimit do të procedohet në Kuvend për miratim.
Heqja e sistemit të balancuesit, i cili garantonte përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratë, u propozua nga ish-ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu, si pjesë e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike 2023–2030, në korrik të vitit 2023. Kjo ide ishte gjithashtu pjesë e programit elektoral të VMRO-DPMNE-së, Platforma 1198.
Sipas paralajmërimeve të Mickoskit dhe praktikave nga Komisioni i Venecias, ligji mund të hyjë në fuqi më së shpejti në pjesën e dytë të vitit 2026, ndërsa deri atëherë do të vazhdojë zbrazëtirë ligjore në mbrojtjen e përfaqësimit adekuat gjatë punësimeve në sektorin publik dhe shtetëror. Flaka Media