Reaksionet alergjike nga insektet, kur duhet të shqetësohemi

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 13 Qershor, 2025 21:53

Reaksionet alergjike nga insektet, kur duhet të shqetësohemi

Rritet numri i pickimeve nga insektet me rritjen e temperaturave, mjekët paralajmërojnë për kujdes

Me rritjen e temperaturave dhe sezonin e verës, po shtohet ndjeshëm numri i rasteve të pickimeve nga insektet që shkojnë drejt mjekëve të familjes. Mjekja Antia Haxhiraj nga Qendra e Mjekësisë Familjare nr.10 shpjegon se ngrohja e motit ka sjellë një rritje të pacientëve me reaksione alergjike nga pickimet e insekteve, të cilat mund të jenë nga më të ndryshmet.

“Rastet më të shpeshta janë nga mushkonjat, miza të vogla, bletët, grerëzat dhe në raste më të rralla nga milingonat e zjarrit, të cilat janë më të përhapura në zonat e plazheve,” thotë mjekja Haxhiraj. Ajo shton se pickimet nga këto insekte shkaktojnë zakonisht reaksione lokale si skuqje, kruarje dhe ënjtje në zonën e pickimit, që mund të trajtohen në shtëpi.

Megjithatë, në raste më të rralla, mund të shfaqen reaksione alergjike më të rënda, të cilat përfshijnë përhapje të ënjtjes në pjesë të tjera të trupit, vështirësi në frymëmarrje, apo edhe shenja të tjera sistemike që kërkojnë trajtim urgjent spitalor. “Në këto situata është e domosdoshme që pacienti të kërkojë ndihmë mjekësore sa më shpejt,” thekson Haxhiraj.

Si të veprojmë pas pickimit?

Në rast pickimi nga mushkonjat dhe miza të vogla, nuk nevojitet kujdes i veçantë përveç aplikimit të kompresave me ujë të ftohtë në zonën e pickimit për të reduktuar ënjtjen dhe kruarjen. Nuk rekomandohet kruarja e vendit të pickimit pasi kjo mund të shkaktojë infeksion.

Në rastet kur pickimi shkaktohet nga bleta, është e rëndësishme që fillimisht të kontrollohet nëse në lëkurë ka mbetur thumbi. Nëse po, duhet të nxirret me kujdes për të shmangur përhapjen e helmimit. Më pas, zona duhet të lahet me ujë dhe sapun dhe të vendoset një kompresë e ftohtë për të ulur ënjtjen dhe inflamacionin.

Një paralajmërim i rëndësishëm vjen edhe për pickimet nga milingonat e zjarrit, që janë më të zakonshme në zona të veçanta dhe që mund të shkaktojnë reaksione të forta alergjike, veçanërisht tek personat që janë të ndjeshëm.

Rreziku nga pickimet e gjarpërinjve

Megjithëse më të rralla, gjatë verës shtohet edhe rreziku i pickimit nga gjarpërinjtë. Në këto raste, mjekja nënvizon se duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore në qendrat spitalore, pasi helmimi nga gjarpërinjtë mund të jetë shumë serioz dhe kërkon trajtim të specializuar.

Këshilla për parandalimin

Për të shmangur pickimet e insekteve, rekomandohet përdorimi i repelentëve, veshja e rrobave të mbyllura gjatë orëve kur insektet janë më aktive, dhe evitimi i zonave ku ka shumë insekte, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes dhe mëngjesit.

Mjekja Haxhiraj sugjeron gjithashtu që nëse dikush di se është alergjik ndaj pickimeve të insekteve, të ketë gjithmonë me vete medikamentet e rekomanduara nga mjeku dhe të njoftojë familjarët për mënyrën e veprimit në rast emergjence.

Flaka

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 13 Qershor, 2025 21:53
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.