VLEN: Punësuam 38 – ASH: Kozmetikë, u larguan nga puna 800 shqiptarë
Një përplasje e re politike ka shpërthyer mes koalicionit qeveritar VLEN dhe opozitës shqiptare, Aleanca për Shqiptarët (ASH), mbi çështjen e punësimeve në sektorin shtetëror dhe përfaqësimin e shqiptarëve në administratë.
VLEN: “38 shqiptarë të punësuar – një kthesë historike”
Në një komunikatë të shpërndarë sot për opinionin publik, VLEN ka njoftuar me “kënaqësi dhe krenari” se 38 shqiptarë kanë filluar punë në sektorin e librave amë, duke e cilësuar këtë si “një hap të madh drejt barazisë dhe integrimit real institucional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
“Punësimet tona nuk bëhen me kushtëzime e mito, por mbi bazën e meritës dhe parimit që njeriu i duhur në vendin e duhur,” thuhet në deklaratën e VLEN, e cila gjithashtu vë në pah se nën udhëheqjen e Faton Fazliut, sektori i librave amë po i nënshtrohet një transformimi rrënjësor.
VLEN thekson se janë në proces të avancuar edhe hapjet e zyreve të reja në komuna të banuara me shqiptarë si Çashkë, Bërvenicë, Krushevë, Jegunovcë, Bogovinë dhe Dobridoll – zona që sipas tyre, “për vite të tëra ishin tërësisht të përjashtuara nga shërbimet shtetërore.”
“Kjo është rilindje institucionale në praktikë. Ky është VLEN – zëri i dinjitetit, veprimit dhe ndryshimit!”, përfundon deklarata.
ASH: “Nuk mbulohet dielli me shoshë – 38 punësime nuk i mbulojnë 800 largime”
Menjëherë pas kësaj deklarate, ASH reagoi ashpër, duke e quajtur njoftimin e VLEN-it një manipulim për të maskuar një realitet të hidhur: diskriminimin sistematik dhe spastrimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore.
ASH thekson se vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar raste flagrante të përjashtimit etnik:
- 21 maqedonas të punësuar dhe asnjë shqiptar në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari;
- 11 shqiptarë të pushuar nga “Pyjet e Maqedonisë” në Strugë;
- 12 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar i pranuar në Policinë e Tetovës, një qytet me shumicë shqiptare;
- Në Ministrinë e Financave, nga 40 vende pune të shpallura, 19 u plotësuan nga maqedonasit, ndërsa 21 pozita u anuluan për të shmangur pranimin e aplikantëve shqiptarë, sipas pretendimeve të ASH-së.
“Ky është një pushtet që po ndërton një administratë etnikisht të pastër,” thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, e cila thekson se mbi 800 shqiptarë janë larguar ose janë detyruar të largohen nga administrata publike që prej ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it në qershor të vitit 2024.
ASH kërkon:
- Hetim të pavarur për punësimet dhe largimet nga puna mbi baza etnike;
- Ndërprerje të menjëhershme të spastrimeve etnike;
- Përfshirje të ndërkombëtarëve në monitorimin e barazisë në institucionet shtetërore.
“Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë,” përfundon deklarata e ASH-së.
Diskurs i polarizuar dhe një debat që thellohet
Deklaratat e kundërta të VLEN-it dhe ASH-së reflektojnë një realitet të polarizuar politik mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Njëra palë thekson progresin në përfaqësim dhe punësime, ndërsa pala tjetër ngre alarmin për një fushatë sistematike përjashtimi.
Ndërkohë që shifrat dhe faktet e sakta mbeten për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur, debati mbi përfaqësimin real të shqiptarëve në administratën shtetërore po bëhet gjithnjë e më shumë një temë kyçe në jetën politike të vendit. Flaka