PSG gati për lëvizjen e madhe në prapavijë

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 14 Qershor, 2025 12:25

PSG gati për lëvizjen e madhe në prapavijë

PSG, me trofetë e Ligue 1, Kupës dhe Ligës së Kampionëve ende të freskët në kujtesë, ka nisur punën për ndërtimin e një skuadre edhe më të fortë për sezonin e ardhshëm. Luis Enrique, strategu spanjoll që i udhëhoqi drejt sezonit më të suksesshëm të viteve të fundit, ka një kërkesë të qartë: një qendërmbrojtës klasi.

Objektivi kryesor është Illya Zabarnyi, ylli ukrainas i Bournemouth në Premier League. I qëndrueshëm dhe i pjekur në lojë pavarësisht moshës, Zabarnyi shihet si partneri ideal për Marquinhosin dhe trashëgimtari i mundshëm i udhëheqjes në mbrojtje.

Luis Enrique ka pasur edhe kontakte të drejtpërdrejta me lojtarin, duke e informuar për interesin e PSG-së. Problemi i vetëm për momentin është çmimi: 70 milionë euro, një shumë që Bournemouth nuk pranon ta ulë, të paktën në fazën aktuale të negociatave.

Ndërkohë, emra alternativë janë shqyrtuar. Një prej tyre ishte Mario Gila i Lazios, por me rikthimin e Maurizio Sarrit, largimi i tij është thuajse i pamundur – ai pritet të jetë pjesë e pandashme e projektit të ri në “Olimpico”.

Luis Enrique është i vendosur të sigurojë stabilitet dhe cilësi në mbrojtje, pasi është ky repart ai që i ka dhënë skuadrës balancën në sukseset e fundit. PSG nuk do të kursehet në merkato, dhe me emrin e Zabarnyit në krye të listës, “revolucioni” në prapavijë mund të jetë vetëm çështje kohe.

Flaka

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 14 Qershor, 2025 12:25
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media