Galatasaray nuk ndalet: Pas Sané, godet për Bernardo Silvën
Galatasaray është bërë një nga protagonistët kryesorë të afatit kalimtar veror, duke treguar ambicie të mëdha për të ndërtuar një skuadër që synon jo vetëm dominimin në Turqi, por edhe konkurrencën serioze në Evropë.
Kampionët turq kanë finalizuar tashmë një goditje të madhe: Leroy Sané, ylli i Bayern Munich dhe i përfaqësueses gjermane, do t’i bashkohet klubit nga Stambolli menjëherë pas përfundimit të angazhimeve në Kupën e Botës për Klube.
Por Galatasaray nuk ndalet me kaq.
Sipas gazetës portugeze A Bola, turqit kanë vënë në shënjestër një tjetër emër të madh të futbollit evropian: Bernardo Silva. Mesfushori i Manchester Cityt dhe i kombëtares portugeze, i njohur për vizionin, teknikën dhe fleksibilitetin në fushë, është objekt dëshirash edhe për Benficën, klubin ku ai u rrit si futbollist.
Silva, i cili mbush 31 vjeç në gusht dhe ka edhe një vit kontratë me Cityn, mbetet pjesë kyçe e projektit të Pep Guardiolës, por e ardhmja e tij është ende e pasigurt, për shkak të interesit të lartë dhe sfidave të rinovimit.
Galatasaray, përveç prestigjit të emrit, ka një avantazh të madh krahasuar me Benficën: fuqinë financiare. Klubi turk është i gatshëm t’i ofrojë Bernardos një pagë shumë më të lartë sesa ajo që mund të ofrohet në Portugali, gjë që mund të bëjë diferencën në këtë garë për firmën e tij.
Nëse arrihet marrëveshja, do të ishte një tjetër transferim “bombë” që do ta bënte Galatasarayn një ndër skuadrat më interesante për t’u ndjekur në sezonin e ardhshëm evropian.
Flaka














