Real Madridi shqyrton Nico Williams si zëvendësues të Viniciusit!
Real Madridi po shqyrton mundësinë e transferimit të anësorit të Athletic Club, Nico Williams, ndërsa tensioni rritet rreth rinovimit të kontratës së Vinicius Junior. Sipas raportimeve, braziliani kërkon një pagë më të lartë se Jude Bellingham dhe Kylian Mbappe, të cilët përfitojnë 15 milionë euro neto në sezon, duke vënë në vështirësi drejtuesit e klubit.
Megjithëse Vinicius ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, kërkesat e tij financiare dhe interesimi i mundshëm nga Arabia Saudite po e komplikojnë situatën. Drejtuesit e Madridit nuk janë të gatshëm të përmbushin pretendimet e tij, dhe si rezultat, kanë vënë në vëzhgim Nico Williams, i cili ka një klauzolë lirimi prej 62 milionë eurosh dhe ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.
Fillimisht, ideja për transferimin e Williams dukej si një opsion serioz, veçanërisht pas vështirësive në negociatat me Viniciusin. Megjithatë, me ardhjen e talentit argjentinas Franco Mastantuono, ky interes është zbehur. Klubi aktualisht po pret të shohë se si do të zhvillohen negociatat me Vinicius, pa marrë një vendim konkret për Williams.
Nëse situata me Vinicius nuk gjen zgjidhje, mundësia e ringjalljes së interesit për Williams mbetet e hapur. Tifozët e Madridit presin me padurim të shohin se si do të formësohet ekipi në këtë merkato dhe çfarë ndikimi do të ketë e ardhmja e Vinicius Junior te planet e “Los Blancos”.
Flaka














