Granit Xhaka i jep “OK”-in Milanit – Tare nis bisedimet me Leverkusen
Milani i Max Allegrit po merr formë dhe emri i parë i madh në listën e dëshirave është ai i Granit Xhakës. Mesfushori i përfaqësueses së Zvicrës ka dhënë “OK”-in për një transferim te kuqezinjtë dhe shihet si pjesë kyçe e projektit të rikonstruktimit nën drejtimin e trajnerit të rikthyer.
Pas një sezoni të shkëlqyer me Bayer Leverkusen, ku ishte një nga liderët e skuadrës kampione të Bundesligës, 32-vjeçari me origjinë nga Kosova është gati për një sfidë të re në Serie A. Sipas burimeve të afërta me klubin, Xhaka e sheh Milanin si një hap të rëndësishëm në karrierë.
Tashmë, topi është në fushën e drejtuesve të Milanit. Drejtori sportiv Igli Tare, i sapoemëruar, pritet të nisë bisedimet me Leverkusen gjatë kësaj jave. Gjermanët kërkojnë rreth 12 milionë euro, por Milani do të synojë të ulë çmimin, duke shfrytëzuar vullnetin e lojtarit për t’u larguar.
Për Allegrin, Granit Xhaka përfaqëson një përforcim me garanci – një mesfushor me eksperiencë ndërkombëtare, qetësi taktike dhe mbi 120 ndeshje me përfaqësuesen e Zvicrës. Ai pritet të udhëheqë një repart me elementë të rinj dhe të sjellë atë që Milani ka humbur vitet e fundit: udhëheqje dhe personalitet.
Nëse gjithçka ecën sipas planit, Milani mund të ketë shumë shpejt liderin e ri të mesfushës në “San Siro”.
Flaka














