Interi në duart e Chivut – Nis sfida në Kupën e Botës për Klube
Cristian Chivu është gati të bëjë debutimin e tij zyrtar si trajner i Interit, duke udhëhequr skuadrën zikaltër në sfidën e parë të Kupës së Botës për Klube ndaj Monterrey.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, ish-mbrojtësi rumun theksoi se skuadra është përpjekur të sjellë ide të reja në një kohë të shkurtër dhe premtoi një Inter ndryshe.
“Po përpiqemi të shtojmë elementë të rinj në lojën tonë, edhe pse nuk është e lehtë në kaq pak kohë. Objektivi është të tregojmë versionin më të mirë të Interit. Nuk ka vend për alibi – as për gjendjen fizike, as për atë mendore. Jemi gati”, tha Chivu.
Sa i përket formacionit, ai nuk konfirmoi asgjë, përveç mungesës së Taremit, ndërsa lë hapur gjithçka për të tjerët:
“Luis Henrique është pak prapa me përgatitjen, ndërsa Sucic është kthyer mirë nga kombëtarja. Thuram dhe Lautaro? I kemi lënë të pushojnë pak. Do i shihni gjatë sezonit.”
Ndërkohë, kapiteni Lautaro Martinez u rikthye për të komentuar finalen dramatike të Ligës së Kampionëve, ku Inter u shkatërrua 5-0 nga Paris Saint-Germain:
“Ende nuk arrij ta kuptoj çfarë ndodhi. Ato 90 minuta nuk ishim vetvetja. Isha shumë i mërzitur. Më duheshin ditë të tëra për të folur me njerëzit e mi. Por ky është futbolli – tani duhet të ecim përpara.”
Sipas Lautaros, përgatitjet për Kupën e Botës për Klube po shkojnë mirë, edhe pse koha ka qenë e shkurtër për shkak të angazhimeve me kombëtaret.
Flaka














