Trent shkëlqen në stërvitje – Real Madrid i entuziazmuar për debutimin e tij
Real Madrid ka filluar përgatitjet për Kupën e Botës për Klube, por një nga temat më të diskutuara brenda klubit është gjendja fizike dhe cilësia e Trent Alexander-Arnold, i cili thuhet se ka lënë mbresa që në ditët e para të stërvitjes.
26-vjeçari u bashkua me madrilenët këtë verë, me synimin për të pasur një rol kyç në turneun ndërkombëtar, dhe sipas raportimeve nga gazeta spanjolle AS, një burim i brendshëm në klub ka deklaruar: “Fizikisht, ai është si një bishë.”
Gazetari i AS, Sergio Lopez, raportoi se mbrojtësi anglez ka habitur shumë lojtarë me nivelin e tij të lojës dhe përgatitjes. Në veçanti, puna e tij në mbrojtje dhe në duelet një kundër një ka qenë një pikë e fokusit për stafin teknik.
Alexander-Arnold pritet të ketë një rol të rëndësishëm në ndeshjen e parë të Kupës së Botës për Klube kundër Al Hilal, dhe sipas raportimeve, ka unanimitet se ai do të jetë titullar në këtë sfidë. Performanca e tij në stërvitje ka treguar se ai është gati për të dhënë një kontribut të madh në këtë turne dhe për të ndihmuar Real Madridin në rrugëtimin e tij drejt trofeut.
Me këto sinjale pozitive, pritet me interes të madh debutimi i Trent Alexander-Arnold me fanellën e Real Madridit në ndeshjen e së mërkurës.
Flaka