VLEN: Investim historik prej 6.74 milionë dollarësh për mjedisin
Ndryshimet klimatike nuk presin, dhe as VLEN. Në një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e udhëhequr nga Izet Mexhiti, ka arritur të sigurojë një marrëveshje të re bashkëpunimi me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në kuadër të fazës së 8-të të projekteve të GEF (Global Environment Facility), me një buxhet të përgjithshëm prej 6.74 milionë dollarësh amerikanë.
“Ky është një investim historik për vendin tonë dhe një sinjal i qartë se nuk do të rrijmë duarkryq përballë sfidave klimatike,” deklaroi ministri Izet Mexhiti.
Fondi është i strukturuar në mënyrë strategjike:
- 1 milion dollarë për menaxhimin e ndikimeve nga ndryshimet klimatike,
- 3 milionë dollarë për mbrojtjen e biodiversitetit,
- 2.74 milionë dollarë për rehabilitimin e tokave të dëmtuara dhe ndalimin e shpyllëzimit.
“Kur ka vullnet politik dhe vizion të qartë, premtimet shndërrohen në projekte konkrete dhe rezultatet janë të prekshme. UNDP ka qenë dhe mbetet një partner i besueshëm dhe afatgjatë në këtë rrugëtim,” theksoi Mexhiti.
Ky është vetëm fillimi i një serie projektesh të reja që synojnë të vendosin mjedisin dhe të ardhmen e gjelbër në qendër të politikave shtetërore.
“Koha për të vepruar nuk është nesër. Është sot,” përfundoi ministri.
VLEN, në këtë frymë të re politike, tregon se e ardhmja e qëndrueshme ndërtohet me punë konkrete, ide të guximshme dhe rezultate që flasin vetë. Flaka Media














