Flaka analizon: Ligji i Ri, rezultati i vjetër: Zero për Shqiptarët
Drafti i ri i propozuar për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat po paraqitet si një përpjekje për të përmirësuar sistemin e përfaqësimit në administratën publike të Maqedonisë së Veriut. Por një lexim i kujdesshëm i përmbajtjes së tij zbulon një realitet zhgënjyes për shqiptarët dhe komunitetet tjera jomaqedonase: ai nuk garanton asnjë rezultat të drejtë, asnjë ndryshim real dhe absolutisht asnjë siguri ligjore për përfaqësim të barabartë.
Zero përkatësi etnike si obligim, Zero sanksione për shkelje – Zero efekt real
1. Përkatësia etnike si çështje “vullnetare” = përjashtim sistematik i ligjshëm
Neni 6, paragrafi 2 i draftit sanksionon se “shprehja e përkatësisë etnike bëhet në bazë vullnetare”. Ky formulim e pamundëson çdo mekanizëm matës e detyrues për të siguruar përfaqësim real sipas përkatësisë. Kur një element i tillë vendoset si jo-obligativ, çdo institucion mund të shmangë me lehtësi respektimin e balancave etnike duke thënë: “Nuk ka të dhëna për përkatësi, prandaj s’ka bazë për të llogaritur përfaqësim.” Me fjalë të tjera, ligji vetë e lehtëson diskriminimin, sepse i ndihmon institucioneve ta fshehin atë pas “vullnetit të lirë”.
2. Parimet fisnike, por jashtë realitetit
Neni 5 liston: “mosdiskriminimi”, “merita”, “profesionalizmi”, “transparenca”, “inkluzioni”, “llogaridhënia”. Të gjitha këto janë vlera themelore të një demokracie funksionale – por jo të realitetit tonë institucional, ku shqiptarët përjashtohen masivisht nga konkurset, ku komisionet punësuese janë joproporcionale dhe ku edhe pas më shumë se dy dekadash, në shumë institucione ka Zero të punësuar shqiptarë. Të vendosësh parime abstrakte pa mekanizma zbatimi është fasadë ligjore, jo reformë.
3. Mekanizmat e vjetër për diskriminim, të përfshirë në ligj të ri
Neni 7, paragrafi 3 përsërit: barazia, merita dhe kompetenca si kritere vendimtare. Në kushte të barabarta kjo do të ishte e drejtë. Por në një shtet ku sistemi arsimor është ndarë etnikisht, ku shqiptarët trajtohen si të huaj në administratë, dhe ku institucionet i përzgjedhin “meritoret” me dosje të gatshme dhe intervista të inskenuara – këto kritere bëhen mjet për të përjashtuar shqiptarët, jo për të ndërtuar profesionalizëm.
4. Zero sanksione = Zero zbatim
Pika më e errët e këtij propozim-ligji është mungesa totale e sanksioneve. Çdo ligj pa pasojë për mosrespektim është thjesht letër bosh. Në fillim të procesit të përgatitjes u premtua se ky ligj do të përmbajë ndëshkime konkrete për institucionet që nuk respektojnë përfaqësimin e drejtë. Tani, asnjë rresht, asnjë gjobë, asnjë penalizim. Me këtë, ligji i ri jo vetëm që nuk avancon situatën, por e legjitimon diskriminimin aktual institucional.
Konkluzion: Një ligj që nuk e zëvendëson dot as balancuesin
Ky propozim-ligj, për shqiptarët dhe komunitetet tjera, është nota më e dobët e mundshme – Zero . Ai nuk ofron garanci, nuk sjell mekanizma konkretë, dhe nuk është as përpjekje serioze për ndreqje, por një maskim teknik që do të përdoret për të heshtur kritikët, ndërsa realiteti vazhdon të jetë: shqiptarët si statistikë e përjashtuar.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për dekor ligjor, por për garanci kushtetuese, për mekanizma detyrues dhe për ndëshkueshmëri të institucioneve që shkelin parimin e përfaqësimit të drejtë. Me këtë propozim, nuk lëvizim përpara – kthehemi në pikën zero.
Redaksia “Flaka”














