Ra ky mort e u pamë
Lekë Dalipi
Një vit pas krijimit të qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut dhe hyrjes së koalicionit VLEN në të, asnjë shprehje popullore nuk e përshkruan më mirë këtë vit politik për shqiptarët sesa ajo e jona: Ra ky mort e u pamë! (Një shprehje që ndan edhe titullin e një romani të madhërishëm nga Ismail Kadare, por të mos largohemi nga tema.)
Ky vit na mësoi një të vërtetë të hidhur: nga të gjitha kombinatorikat e mundshme për krijimin e një qeverie, ekziston realisht edhe ajo që një parti maqedonase dominante mund të qeverisë bashkë me një grup shqiptar të paaftë – ose të pafat – për të përfaqësuar interesat shqiptare në mënyrë të dinjitetshme e të barabartë. Dhe kjo është shqetësuese.
Pse është shqetësuese? Sepse edhe nëse sot e justifikojmë këtë realitet me paaftësinë individuale të disa aktorëve shqiptarë, ekziston rreziku që modeli i tillë të bëhet praktikë në të ardhmen. Dhe kjo do të ishte fatale për të ardhmen politike të shqiptarëve në këtë shtet.
Nuk mund dhe nuk duhet që përfaqësimi i shqiptarëve të varet nga rastësia nëse një parti maqedonase është më nacionaliste apo më tolerante, ose nëse një parti shqiptare “ia del” apo jo të fitojë vendin që i takon në qeverisje. Edhe më keq, nuk mund të presim mëshirë për copën e kulaçit qeveritar. Ajo që po ndodh me VLEN nuk duhet të përsëritet kurrë më.
Gjatë 24 viteve të pas Marrëveshjes së Ohrit, nëse kemi mësuar diçka, është se maqedonasit – në pjesën më të madhe – kanë një përfytyrim krejt tjetër për shtetin e përbashkët, ndarjen e pushtetit, gjuhën shqipe, simbolet shqiptare dhe rolin e shqiptarëve si pjesë konstituive. Për një pjesë të madhe të shoqërisë maqedonase, ky shtet ende perceptohet si pronë ekskluzive e tyre, ku shqiptarët janë thjesht bashkëudhëtarë të rastësishëm – një “taksirat” që duhet duruar.
Për vite me radhë, kjo realitet u mbulua pjesërisht nga qëndrueshmëria e Bashkimit Demokratik për Integrim, që jo vetëm i mbeti besnik betejës për përfaqësim të shqiptarëve, por i qëndroi edhe trashëgimisë së UÇK-së dhe udhëheqjes së vendosur të Ali Ahmetit – figurë e palëkundur për bashkëqeverisje të barabartë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ajo që nuk e parashikuam ishte paaftësia ose mungesa e vullnetit të partive të tjera shqiptare që, sapo erdhën në pushtet, jo vetëm që nuk e çuan procesin përpara, por minuan shumë nga arritjet që BDI i ndërtoi me mund dhe sakrificë gjatë dy dekadave.
Prandaj, për të mos rënë më në kurthe si ajo e sotmja, është e domosdoshme që faktori politik shqiptar – pa dallime të brendshme – të arrijë një marrëveshje të qartë me palën maqedonase për mënyrën se si krijohet dhe ndahet pushteti. Kjo mund të jetë marrëveshje politike, ligj, kontratë – emërtimi është i dorës së dytë. E rëndësishme është që të ekzistojë një kornizë e shkruar, e detyrueshme, që e përcakton qartazi ndarjen e pushtetit, në mënyrë që pavarësisht se cila parti fiton zgjedhjet, interesat e shqiptarëve të jenë të mbrojtura dhe të garantuara.
Një formulë e ndarjes së parapërcaktuar mund të përfshijë, për shembull: nëse pala maqedonase merr presidentin, atëherë shqiptarët duhet të marrin kryeministrin. Ministritë duhet të ndahen sipas peshës specifike: nëse maqedonasit marrin Ministrinë e Punëve të Jashtme, shqiptarët të kenë të Brendshmen, Financat, Ekonominë, Arsimin, Drejtësinë, Bujqësinë dhe Shëndetësinë – e kështu me radhë.
Përfaqësimi i drejtë dhe i barabartë, si dhe përdorimi i gjuhës shqipe, nuk duhet të jetë temë diskutimi më. Duhet të jetë standard. Po ashtu, decentralizimi i mirëfilltë duhet të përshpejtohet për të fuqizuar zhvillimin ekonomik dhe institucional të komunave shqiptare.
Ra ky mort e u pamë. Por le të jetë kjo edhe pika e kthesës, mësimi më i madh që kemi marrë: shqiptarët nuk mund të jenë të përfaqësuar fuqishëm dhe barabartë nëse varen nga mëshira e të tjerëve në një shtet që edhe ne e konsiderojmë tonin. Ne nuk jemi qiraxhinj. Ne jemi bashkëpronarë të këtij shteti.














