Ligji për përfaqësimin: Mickoski sulmon opozitën shqiptare – Edhe Bekim Fazliu mendon ashtu!
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës shqiptare për Propozim-Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe pa kredibilitet, për shkak të, siç tha ai, dështimit të opozitës që për dy dekada të ofrojë një zgjidhje ligjore për këtë çështje.
“Për fat të keq, opozita shqiptare kishte mundësi për më shumë se 20 vjet që të siguronte ligj që do të garantonte përfaqësim të drejtë, por nuk e bëri. Ata vetë kanë deklaruar se koha e balancuesit ka kaluar dhe duhet të gjendet një formë e re. Prandaj, kredibiliteti i tyre për këtë temë është zero”, deklaroi Mickoski për mediat.
“Ne po ecim hap pas hapi dhe duam që gjithçka të jetë siç duhet, pa politizim”, shtoi ai.
Bekim Fazliu: Ky ligj ua kujton heshtjen dhe paaftësinë 20-vjeçare
Ish-deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, ka reaguar me një status në Facebook duke kritikuar ashpër ish-qeverisjen shqiptare, veçanërisht BDI-në, për mosrealizimin e këtij ligji gjatë dy dekadave të pushtetit.
“Megjithëse për 20 vjet kishin në dorë gjithë pushtetin, përfshirë edhe kryeparlamentarin dhe kryeministrin e parë shqiptar, asnjëherë nuk sollën një ligj të tillë”, shkroi Fazliu.
“Tani, kur dikush tjetër, me shumë më pak pushtet, e kalon këtë ligj në Qeveri, ju nuk bëheni pjesë për ta përmirësuar. Përkundrazi, dilni dhe thoni: ‘Nuk kalon!’ Jo pse mendoni se ligji nuk është i mirë, por sepse ju nxjerr zbuluar”, shton ai.
Fazliu e konsideron këtë iniciativë një përpjekje të vlerësueshme dhe kritikon ashpër ndryshimin e fokusit politik ndër vite:
“Dikur përmendeshin burgje të mbushura me shqiptarë, afera të montuara, kazino dhe korrupsion. Sot flasim për përfaqësim të drejtë, për gjuhën shqipe dhe për luftë kundër korrupsionit. Ka ndryshim të madh mes shkatërrimit dhe zhvillimit.”
Në fund të reagimit të tij, Fazliu e pranon se ligji mund të ketë mangësi, por e cilëson atë si një hap të rëndësishëm dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë që të kontribuojnë për përmirësimin e tij, jo për ta penguar për interesa politike.
“Më mirë një ligj sesa një post”, shkruan Fazliu, duke cituar Arbën Xhaferin.














