Zenku në RTSH: “Sela nuk kërkon pushtet me çdo kusht”
Në emisionin “Ura” të transmetuar në RTSH, i moderuar nga gazetari Artur Bejzade dhe i dedikuar rolit të diasporës shqiptare në politikë e shoqëri, u diskutuan zhvillimet më të fundit në Maqedoninë e Veriut, përfshirë pozicionin e liderëve politikë shqiptarë, transmeton Flaka
Të ftuar në debat ishin lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, kryeredaktori i Flaka Media Group, Driton Zenku, dhe përfaqësuesi i organizatës “Albanian Union” në Londër, Adem Marku.
I pyetur për të komentuar të ardhmen politike të Ziadin Selës, Driton Zenku theksoi se lidershipi i tij ka qenë i qëndrueshëm dhe parimor, duke dëshmuar qasje konstruktive dhe bashkëpunuese me subjektet e tjera politike shqiptare në vend.
“Personaliteti i zotit Sela ka dëshmuar konzistencë, vendosmëri dhe qasje bashkëpunuese për aq kohë sa ai është aktiv në politikë. Këtë e kam bindje dhe nuk dëshiroj të bëj lëvdata politike mbase edhe profesioni nuk më lejon, por ky është realiteti” tha Zenku.
Duke folur për skenën aktuale politike dhe koalicionet shqiptare, Zenku theksoi aftësinë e Selës për të kaluar përtej antagonizmave politikë kur është në pyetje interesi kombëtar, duke përmendur rastin e bashkëpunimit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
“Zoti Sela ka treguar sens politik, duke kapërcyer edhe vetveten për të bashkëpunuar me kundërshtarë politikë – siç ndodhi me z. Ahmeti – kur është në pyetje e ardhmja e shqiptarëve,” u shpreh Zenku.
Ai theksoi gjithashtu se aktualisht Sela është pjesë e koalicionit të Frontit Evropian, që sipas tij, shihet si favorit për zgjedhjet lokale të tetorit, por edhe për zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare.
“Zoti Sela është në një formacion fitues. Te ai shoh një karrierë të qëndrueshme dhe një rrugë që bart fitore,” deklaroi Zenku, duke shtuar se lideri i ASH-së nuk është ndër ata politikanë që dëshiron të mbetet në pushtet me çdo kusht. Flaka Media














