Ç’duhet regjistrimi digjital i popullsisë në vitin 2026, në vend të datës së rregullt në vitin 2031?

Flaka
Botuar nga Flaka 28 Qershor, 2025 12:59 Përditësuar

Ç’duhet regjistrimi digjital i popullsisë në vitin 2026, në vend të datës së rregullt në vitin 2031?

Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është teknikisht e gatshme të realizojë një regjistrim digjital të popullsisë që në vitin 2026, pesë vite para afatit të rregullt të parashikuar për vitin 2031.

Në një intervistë për televizionin Sitel, Andonovski theksoi se procesi është tashmë pjesë e programit të Qeverisë, ndërsa aktivitetet përgatitore janë në zhvillim e sipër.

“Qëllimi është të rikthehet besimi i qytetarëve në sistem. Nëse i përgatisim të gjitha kushtet, regjistrimi digjital mund të mbahet në vitin 2026,” – tha ministri.

Sipas tij, një grup pune ndërinstitucional është formuar që nga prilli i këtij viti për të përcaktuar parakushtet teknike dhe ligjore që duhen plotësuar për realizimin e këtij procesi. Pika kyçe do të jetë pastrimi dhe harmonizimi i bazave të të dhënave nga institucionet shtetërore.

“Saktësia e të dhënave është themel i çdo regjistrimi. Vetëm me pastrimin e bazave ekzistuese mund të kemi një pasqyrë reale të popullsisë,” – shtoi Andonovski.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur regjistrimi i vitit 2021 është vënë nën kritika të forta publike dhe politike, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli jokushtetuese ndarjen e popullsisë në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të fundit për të delegjitimuar procesin e regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, i cili për herë të parë pas vitit 2002 nxori shqiptarët në nivelin 29.5%, krahasuar me 25.17% në regjistrimin e vitit 2002.

Sipas BDI-së, akuzat për paligjshmëri në lidhje me regjistrimin janë “një përpjekje e qëllimshme për të mbuluar vendimin e turpshëm, të padrejtë dhe antikushtetues të kësaj qeverie,” e cila, pa legjitimitet politik shqiptar, e ka zvogëluar përqindjen e shqiptarëve në 24.3% duke përjashtuar diasporën nga përllogaritjet zyrtare.

Reagimi i plotë i BDI-së:

“Ky veprim, tashmë i rrëzuar si i kundërligjshëm, nuk është thjesht një gabim teknik apo administrativ, por një akt politik i rëndë që synon zvogëlimin e përfaqësimit të shqiptarëve në mënyrë sistematike, duke anashkaluar kontributin, praninë dhe të drejtat e diasporës.”

BDI rikujton se: “Ata që sot flasin për procesin e regjistrimit të vitit 2021, janë të njëjtët që në vitin 2024 votuan dhe legalizuan përjashtimin e mbi 300 mijë shqiptarëve jashtë vendit. Nga 29.5% që ishte përqindja e shqiptarëve, me vendime politike dhe diskriminuese, u soll në 24.3%, çka nënkupton më pak se edhe vetë rezultati i regjistrimit të vitit 2002.”

Partia shqiptare thekson se: “Nëse dikush sot duhet të mbajë përgjegjësi për manipulime, atëherë janë funksionarët e kësaj qeverie dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë që votuan dhe zbatuan vendime që dëmtojnë shqiptarët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe afatgjate.”

BDI rithekson: “Nuk do të lejojmë që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të padukshëm në vendin e tyre dhe do të përdorim të gjitha mjetet demokratike, ligjore dhe politike për të mbrojtur realitetin demografik dhe të drejtën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.” Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 28 Qershor, 2025 12:59 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.