Regjistrimi Digjital 2026 – Mundësi apo rrezik për një tjetër manipulim ndaj shqiptarëve?
Nga: Redaksia Flaka
Deklarata e fundit e ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, se Maqedonia e Veriut është teknikisht e gatshme të realizojë një regjistrim digjital të popullsisë në vitin 2026, ka ngritur menjëherë dyshime dhe pikëpyetje të mëdha. A është ky një hap drejt transparencës së shumëpritur, apo po përgatitet një tjetër manipulim institucional, ndoshta më i sofistikuar, për të minuar prezencën reale të shqiptarëve në këtë shtet?
Konteksti në të cilin vjen kjo nismë është shumë i rëndësishëm. Regjistrimi i vitit 2021, tashmë i diskredituar nga vetë Gjykata Kushtetuese, u zhvillua nën hijen e një marrëveshjeje të dyfishtë politike midis BDI-së dhe LSDM-së, e cila, me ndarjen artificiale “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, përjashtoi me qëllim qindra mijëra shqiptarë të diasporës nga përfaqësimi real dhe i barabartë. Ky proces nuk ishte vetëm selektiv – ishte politikisht i motivuar dhe i ndërtuar për të deformuar strukturën demografike të vendit.
Dhe sot, në vend që të korrigjohet padrejtësia e atij regjistrimi përmes një procesi të ri gjithëpërfshirës dhe të debatueshëm publikisht, propozohet një regjistrim digjital i përshpejtuar, pa një konsensus politik, pa reformë të plotë ligjore dhe mbi të gjitha, pa siguri se diaspora do të përfshihet siç duhet.
Po, digjitalizimi është pjesë e së ardhmes. Po, modernizimi i administratës publike është i domosdoshëm. Por kur këto nisma udhëhiqen nga strukturat e njëjta që vetëm pak vite më parë prodhuan regjistrime të manipuluara, çfarë garancie ka se teknologjia nuk do të shfrytëzohet si vegël për një tjetër “masakër statistikore” ndaj shqiptarëve?
A është pastrimi i bazave të të dhënave një pretekst për të fshirë më tej diasporën nga llogaritjet kombëtare? A do të jenë “burimet administrative” – që në regjistrimin e kaluar prodhuan 132.000 “banorë fantazmë” – sërish themeli mbi të cilin do të ndërtohet e vërteta statistikore?
Në vend që të hapet një proces gjithëpërfshirës për riregjistrim të drejtë dhe fizik të diasporës, i bazuar në standarde ndërkombëtare, qeveria propozon një proces që ngjan më shumë me një softuer të programuar për të vulosur një realitet të falsifikuar, sesa për të reflektuar realitetin demografik.
Shqiptarët nuk kanë frikë nga e vërteta – por kanë arsye të forta për të mos i besuar një shteti që i ka zhdukur një herë nga statistikat. Prandaj, çdo tentativë për regjistrim të parakohshëm digjital duhet të kalojë përmes transparencës, debatit publik, përfshirjes së diasporës dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare.
Përndryshe, do të përballemi me një masakër të re numerike, të ambalazhuar bukur si “inovacion digjital”, por që do të prodhojë sërish padrejtësi, diskriminim dhe përjashtim politik për shqiptarët.
Dhe këtë herë, përgjegjësia nuk do të jetë më vetëm e qeverisë – por edhe e çdo faktori politik shqiptar që zgjedh të heshtë ose të bëhet pjesë e kësaj loje.
Sepse regjistrimi nuk është statistikë – është pushtet. Dhe askush nuk ka të drejtë t’ua vjedhë shqiptarëve këtë pushtet, as me laps, as me serverë.














