Flaka thumbon: Një drejtor si ky – askund tjetër!
Arsim Idrizi, drejtori i Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve, po sakrifikon veten për idealin e gjuhës dhe për jetën e nëpunësve të tij. Në një akt të pashembullt heroizmi administrativ, ai ka vendosur të ngjitet në piedestalin e historisë me… një veturë gjysmëfunksionale.
Makina zyrtare, e cila më shumë flet me zhurmë se me motor, nuk është lejuar të shkelë rrugët e rrezikshme nga këmbët e inspektorëve të ndjeshëm. Jo, kjo makinë – ky kalë i lodhur i shtetit – nuk guxon të marrë në qafë askënd tjetër. Por Idrizi… Idrizi nuk mendon për veten.
“Nëse dikush duhet të digjet për këtë çështje, le të jem unë,” – thuhet se ka deklaruar me një dramë që ia kalon edhe filmave të Netflix-it. Ai e ngas vetë makinën – i vetëm në kabinë, me rrezikun që i kërcen nga çdo piston.
Ai nuk është vetëm një drejtor – është një martir i qarkullimit urban dhe një kalorës i gjuhës së Naimit.
Sqarim serioz (sa për protokollin gazetaresk): Ky Arsim Idrizi nuk është ai Arsim Idrizi që e njohim si “Njeriu i Sharrit”. Ky është një tjetër Arsim – i diplomuar për juridik, kuadër i VLEN-it, nga Kumanova. Përveç shqipes, ai flet edhe maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht – dhe me sa duket, edhe gjuhën e sakrificës.
U bë i njohur kur desh e shkarkuan për faktin revolucionar se fliste shqip për mediat. Dhe mbi të gjitha, është një drejtues që, ndërmjet ligjit dhe dashurisë për gjuhën, zgjedh të citojë Naimin… duke rrezikuar jetën në një veturë që as vetë mekaniku nuk do e çonte në servis.
PS: Portalet e tjera mund ta kopjonë lajmin dhe e kanë gratis. Ma mirë ta marrin gati se sa të lodhen të na kopjonë me rubrika të ndajshme 😅
“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”
(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja). Flaka Media














