Mickoski dhe Mexhiti takoin Kurtin: Kur fqinjësia kthehet në partneritet, rajoni ndryshon!
Në një zhvillim të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka njoftuar përmes një deklarate se sot është zhvilluar një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
“Sot, së bashku me Kryeministrin Mickoski, zhvilluam një takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, që konfirmon përkushtimin tonë të përbashkët për bashkëpunim rajonal, stabilitet dhe zhvillim të afatgjatë,” ka deklaruar Mexhiti.
Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë arritur nivelin më të lartë historikisht, të ndërtuara mbi respekt të ndërsjellë, interesa të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen e rajonit.
“Jemi të përkushtuar të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi dhe të forcojmë lidhjet ndërfqinjësore që u shërbejnë qytetarëve tanë dhe gjithë rajonit,” theksoi ai, duke shtuar se “kur fqinjësia kthehet në partneritet, rajoni ndryshon. Dhe ne kemi vullnetin ta ndryshojmë.”














