Mickoski: Rruga Evropiane, nuk pranojmë shantazhe – BE paralajmëron për ndikim të huaj dhe korrupsion
Në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur sot në Shkup, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se vendi po ecën drejt integrimit evropian me zemër e mendje të hapur, por kundërshtoi ashpër çdo formë imponimi të vlerave që nuk përputhen me frymën e BE-së.
“Ne nuk pranojmë imponime nën maskën e procesit evropian. Evropa është shtëpia e ligjit, drejtësisë dhe dinjitetit – këto janë vlerat që pranojmë. Çdo gjë tjetër është e huaj për BE-në, dhe e huaj për ne,” theksoi Mickoski në konferencën e përbashkët për shtyp me komisioneren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos.
Kreu i qeverisë maqedonase theksoi se reformat nuk bëhen për t’u dukur, por për të shërbyer qytetarëve dhe për të ndërtuar një shtet funksional dhe të denjë për anëtarësim në BE.
“Ne japim rezultate, jo sepse dikush na kërkon, por sepse qytetarët tanë e meritojnë,” tha ai, duke shtuar se Maqedonia e Veriut nuk do të presë shtytje nga jashtë, por do të vazhdojë rrugën e saj evropiane me vizion të qartë dhe vullnet të brendshëm.
Paralelisht, BE ngre shqetësime serioze në raportin e saj të fundit
Deklaratat e Mickoskit vijnë në një moment kritik, teksa pritet publikimi i raportit zyrtar të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut. Dokumenti, në të cilin ka pasur qasje media vendore, si TV24 dhe Flaka, përmban një varg kritikash serioze, që përfshijnë:
- Hetim të thelluar për tragjedinë në Koçan, ku kërkohet ndëshkimi i përgjegjësve dhe përmirësim i sigurisë publike;
- Kritika për shkarkime dhe emërime politike në institucionet e pavarura dhe mungesë progresi në forcimin e Avokatit të Popullit;
- Përkeqësim në luftën kundër korrupsionit, sidomos në nivel të lartë, dhe ulje të besimit në gjyqësor;
- Ndikim të huaj dhe rrezik nga fushata dezinformuese, ku vihet në dukje roli i Serbisë dhe Hungarisë në avancimin e qëllimeve gjeopolitike të Kinës dhe Rusisë;
- Projekti “Bota Serbe”, i cilësuar si kërcënim për sovranitetin dhe stabilitetin rajonal, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të qeverisë maqedonase në iniciativa të dyshimta;
- Thirrje për hapjen e arkivave të UDBA-s dhe KOS-it, si pjesë e ballafaqimit me të kaluarën totalitare dhe forcimit të institucioneve demokratike;
- Financim i dyshimtë i mediave nga diplomacia kineze, dhe përhapje të narrativave anti-NATO përmes aktorëve të ndikuar nga Kremlini;
- Shqetësime për transparencën në financimin e partive dhe përdorimin e reklamimit qeveritar për qëllime politike.
Raporti gjithashtu përmend se 50% e qytetarëve të Maqedonisë janë ekspozuar ndaj dezinformimit, sidomos në lidhje me luftën në Ukrainë, ndërsa eurodeputetët kërkojnë miratimin e reformave kushtetuese në përputhje me kornizën negociuese me BE-në.
Pritet debati për “gjuhën dhe identitetin maqedonas modern”
Një tjetër çështje e ndjeshme që përmendet në dokument është përcaktimi i gjuhës dhe identitetit maqedonas si “modern”, element që është marrë nga Protokolli me Bullgarinë. Në korrik pritet që eurodeputetët të vendosin nëse ky formulim do të mbetet në versionin final të raportit.
Pavarësisht retorikës pro-evropiane të qeverisë së Mickoskit, raporti i BE-së nxjerr në pah një realitet kompleks me sfida të mëdha të brendshme dhe ndikime të jashtme që rrezikojnë të minojnë rrugën e vendit drejt integrimit evropian. Në këtë kontekst, mesazhet nga Brukseli janë të qarta: vlerat evropiane nuk mund të përzihen me praktikat e kapjes së shtetit, ndikimit të huaj apo retorikës populiste. Flaka














