Xabi Alonso zbulon planet për sfidën ndaj Juventusit
Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka folur për mediat pak orë para sfidës së shumëpritur ndaj Juventusit në të tetën e finales së Botërorit të Klubeve. Ndeshja do të zhvillohet sonte në “Hard Rock Stadium”, dhe tekniku bask është përballur me 22 pyetje që kanë prekur të gjitha temat kryesore të momentit.
Sa i përket sfidës me “Zonjën e Vjetër”, Alonso u shpreh qartë:
“Në këtë pikë të garës fillon ajo thënia: ‘brenda ose jashtë’. Do të luajmë kundër një skuadre të madhe, duhet të përdorim kokën, futbollin dhe koncentrimin. Jemi përgatitur mirë dhe jemi gati.”
Një nga temat më të nxehta ishte gjendja e Kylian Mbappé, për të cilin Alonso u shpreh:
“Ai është më mirë. Po flasim me të çdo ditë dhe ka shumë mundësi që do të luajë.”
Gjithashtu, rikthimi i Carvajal dhe Militao është një tjetër lajm pozitiv për madrilenët:
“Të dy janë ftuar. Është e rëndësishme t’i kemi pranë, edhe pse kanë ende nevojë për kohë për ta rigjetur ritmin.”
Alonso vlerësoi gjithashtu punën me të rinjtë dhe kontributin e akademisë:
“Prioriteti është të fitojmë, por edhe me ndihmën e akademisë. Gonzalo Garcia po bën mirë, Castilla ofron alternativa. Të rinjtë meritojnë mundësi.”
Trajneri i ri i “Los Blancos” komentoi edhe përdorimin e teknologjisë në stërvitje:
“Përdorimi i dronëve është i zakonshëm. I përdornim edhe në Leverkusen. Ndihmon për të analizuar distancat dhe për të pasur një pamje tjetër të fushës.”
Në fund, ai ndali te bashkëjetesa mes Vinicius Jr. dhe Mbappé:
“Duam të ndërtojmë një ide kolektive të fortë, por do të jenë talentet që bëjnë diferencën. Mbappé ka tashmë lidershipin, por të gjithë duhet të kontribuojnë.”
Alonso mbylli deklaratat me ton optimist për aventurën e re:
“Jam vetëm në javën e tretë në këtë detyrë. Ka shumë për të ndërtuar, por çdo ditë ndiej që marrëdhëniet forcohen. Jam i kënaqur.”
Flaka














