Flaka thumbon: Çarshia si metaforë politike – Kush i takoi shqiptarët, kush jo
Në një Shkup simbolikisht të nxehtë dhe politikisht të tendosur, ku BE-ja u përpoq të sillte freski me euro dhe reforma, vetëm një lider ballkanik e kaloi vërtet pragun e realitetit: Edi Rama. Të tjerët, me gjithë deklaratat për integrim, zgjodhën ambientin e kondicionuar dhe deklaratat që nuk djersiten.
Rama, në vend që të humbiste kohën me fjalime që askush nuk i dëgjon dhe me protokolle që harrohen në minutën e parë, shkoi në Çarshi – në zemër të Shkupit dhe në zemër të shqiptarëve. I shoqëruar nga ambasadori Meidani dhe përfaqësues politikë të spektrit të gjerë – nga Bujar Osmani e deri te Arben Taravari, e për të mos lënë pa përmendur edhe takimin me Ali Ahmetin – Rama u soll sikur donte të thoshte: “Të bashkuar a të ndarë, shqiptarët janë çështje serioze.”
Ndërkohë, Albin Kurti, ndoshta për të ruajtur distancën strategjike apo për të shmangur ndonjë mendim të pashqiptuar të qytetarëve, zgjodhi të mos e shkelë Çarshinë. Ai u mjaftua me një takim të mbyllur me VLEN-in – një koalicion që nganjëherë duket sikur flet në frekuenca që vetëm algoritmi i TikTok-ut i kupton. Me kamera, pa qytetarë, shumë fjalë e pak ndjesi.
Kurti nuk bëri asnjë gjest publik ndaj shqiptarëve të Shkupit – as një përshëndetje, as një ecje nëpër lagje, as një kafe me qytetarë. Thua se shqiptarët e këtushëm ishin në një tjetër Kosovë ose ndoshta në roaming politik.
Ndërsa për VLEN-in, kjo vizitë ishte një provë zjarri që përfundoi pa tym: të pranishëm në listë, të padukshëm në peshë. As Rama s’i përmendi, as Kurti s’i nxori jashtë dhomës. Mbetën një shënim në fund të fletës, në një samit ku Shqipëria e zyrtarizoi një parim të vjetër ballkanik: nuk bën politikë me ata që politikën e kuptojnë si story 24-orëshe.
Edi Rama zgjodhi hijen e Çarshisë mbi hijet politike, u takua me ata që, me të mirë e me të keq, kanë mbajtur barrën e përfaqësimit në kohë të vështira. Dhe kështu, ndodhi ajo që s’ishte në agjendë por që u shkrua vetë: një lider kombëtar vizitoi qytetarët; tjetri, profilin në rrjete.
Shkupi foli. Jo me deklarata, por me skena reale. Njëri ishte mes njerëzve, tjetri – mes strukturave. Njëri kërkoi frymë, tjetri – karrige.
PS: Portalet e tjera mund ta kopjonë lajmin dhe e kanë gratis. Ma mirë ta marrin gati se sa të lodhen të na kopjonë me rubrika të ndajshme 😅
“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”
(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja). Flaka Media














