Flaka thumbon: Gashi, Kasami e Ibrahimi në pritje të takimit të radhës me Kurtin
Në Shkup ndodhi ajo që ndodh shpesh në politikën shqiptare: dikush u takua, dikush u harrua, dhe dikush u pa nga larg por nuk u përshëndet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zgjodhi një përfaqësim minimalist por emocional nga VLEN – duke u takuar vetëm me Izet Mexhitin dhe Arben Fetain.
Ndërkohë, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Zeqirja Ibrahimi – të cilët ndoshta prisnin një selfie strategjike me Kryeministrin e Kosovës – mbetën në sfond, në hijen e kamerave, pa asnjë shtrëngim duarsh dhe pa asnjë “vëlla” nga Kurti.
Burime të pakonfirmuara por shumë të zëshme thonë se takimi është ndarë në dy grupe: “vëllezërit e parë” dhe “ata të tjerët”, sipas renditjes së afërsisë politike në kodin gjeostrategjik të VV-së.
Në selinë e VLEN-it ndërkohë, atmosfera është përzier mes konfuzionit, qetësisë olimpike dhe një rrotullimi të syve që do të thotë: “Aha, kështu po na e kthen Albini!?”
Në rrjetet sociale ka nisur edhe një peticion me titull:
“Edhe Gashi ka ndjenja – Jepini një takim!”
Ndërsa Kasami ka kërkuar që takimet e ardhshme të mbahen me short, “për transparencë dhe barazi në përqafim.”
Në një reagim të shkurtër dhe të heshtur, Fatmir Ibrahimi thuhet të ketë thënë vetëm:
“Unë nuk jam xheloz, por ky muhabet po del me listë të mbyllur.”
Zyra e Kurtit nuk ka komentuar, por ndoshta po përgatitet për ndonjë takim të ri me etiketë:
“VLEN – versioni i përzgjedhur.”
Deri atëherë, dy liderë u takuan dhe tre u mbetën për një herë tjetër – ose për herë të askushit.
“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”
(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja). Flaka Media














