Letër e hapur për Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti
I nderuar Kryeministër,
Me shqetësim të thellë po ju drejtohem në lidhje me përkeqësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, një realitet që po bëhet gjithnjë e më i prekshëm për qytetarët tanë.
Partia VMRO-DPMNE, me retorikë të ashpër dhe veprime të qëndrueshme, po përpiqet të shfaqet si mbrojtëse e identitetit maqedonas kundrejt ndikimeve bullgare. Mirëpo, për ironi, sa më shumë që e potencojnë këtë çështje si një rrezik i jashtëm, aq më shumë e zhvendosin frustrimin dhe mllefin e tyre të brendshëm ndaj shqiptarëve të këtij shteti.
Kjo përkthehet drejtpërdrejt në një kufizim sistematik të rolit dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve në pushtet. Në vend që të jemi partnerë të barabartë në ndërtimin e një shteti shumetnik dhe demokratik, jemi të vendosur në plan të dytë, të margjinalizuar, të nënvlerësuar dhe të injoruar në vendimmarrje.
Në këtë situatë, roli i Shqipërisë dhe Kosovës si shtete amë është më i rëndësishëm se kurrë.
Ne kemi nevojë për mbështetje të zëshme dhe të koordinuar nga udhëheqësit shqiptarë në rajon. Një fjalë nga ju, një qëndrim parimor i artikuluar qartë, mund të ketë ndikim të madh, si për të ngritur zërin për të drejtat tona, ashtu edhe për të frenuar tendencat diskriminuese të pushteteve të reja.
Ju lutem që në kapacitetin tuaj institucional, politik dhe kombëtar, ta ngritni këtë çështje në instancat rajonale dhe ndërkombëtare, dhe të jeni zë i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut që sot ndihen më të përjashtuar se kurrë më parë.
Me respekt dhe shpresë,
Zydi Xhelili
Gostivar/Maqedonia e Veriut














