Manastir – 43-vjeçarja mashtron 64-vjeçarin: i premton punë për djalin në Polici, i merr 22.500 euro
Sektori për Punë të Brendshme në Manastir ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kundër një gruaje 43-vjeçare nga Manastiri, me inicialet M.L., e cila dyshohet për veprën penale “Mashtrim” sipas nenit 247 të Kodit Penal, transmeton Flaka.
Sipas informacioneve zyrtare, në periudhën nga 15 shtator 2024 deri më 15 prill 2025, e dyshuara me qëllim përfitimi të paligjshëm material, ka mashtruar një qytetar 64-vjeçar nga Manastiri duke i premtuar ndihmë për punësimin e djalit të tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).
Ajo është paraqitur rrejshëm si e punësuar në MPB dhe ka ofruar ndihmë për punësim dhe për “çështje të tjera procedurale”. I mashtruari i ka dhënë në disa raste para, në një shumë të përgjithshme prej 22.500 eurosh.
Rasti është referuar në Prokurorinë Themelore Publike – Manastir , ndërsa ndaj të dyshuarës është ngritur procedurë penale për mashtrim. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar nëse ka edhe viktima të tjera të mundshme. Flaka Media














