Shqipëria, orientim natyral dhe politik për shqiptarët kudo që janë!
Zudi Xhelili
Nuk është e rastësishme që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shohin drejt Tiranës për orientim politik.
Ky raport nuk është as ndërhyrje, as dominim, por është NATYRAL, sepse Shqipëria është shteti amë.
Diplomatët perëndimorë, prej vitesh, na e kanë thënë troç:
“Mesazhet për situatën në rajon dhe për veprimet tuaja do t’i merrni nga vëllai i madh, nga Kryeministri i Shqipërisë!”
Kjo nuk është vetëm një shprehje politike, por një realitet gjeostrategjik dhe kombëtar.
Në çdo moment kritik, në kohë krize apo zgjedhjesh, syri i faktorit ndërkombëtar, por edhe i shqiptarëve në rajon, është kthyer nga Tirana.
Prandaj, takimi i Edi Ramës me opozitën shqiptare në Maqedoni të Veriut, në një kohë kur ajo është e bashkuar dhe më e fuqishme se kurrë, është një mesazh që nuk duhet keqlexuar:
Shqipëria është dhe duhet të jetë gjithmonë shtyllë mbështetëse, jo arbitër mes interesave të ngushta partiake, por zë i interesit kombëtar dhe rrugës drejt integrimit evropian!














