Flaka thumbon: Kryeparlamentari përshëndet gardianët e Ambasadës – Nga ambasadori te rojtari!
Në ceremoninë zyrtare të Ambasadës së SHBA-ve për 4 Korrikun në Shkup, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, bëri një gjest historik që meriton të hyjë në manualet e protokollit diplomatik të Ballkanit të thellë.
Me një buzëqeshje paqësore dhe dorën e tij të palodhur, Gashi i përshëndeti një nga një gardianët e ambasadës amerikane. Nuk përjashtoi askënd. As të uniformuarit, as ata me jelek antiplumb, as ata që mezi ndërruan turnin. Një akt njerëzor që të bën të kujtosh se ndoshta, ndonjëherë, politika nuk është vetëm për elitat – por edhe për ata që ruajnë elitat.
Burime jozyrtare thanë se, po të kishte pasur edhe ndonjë pastrues xhamash apo shpërndarës të panineve diplomatikë në sfond, Gashi nuk do ta kursente as ata nga një “Happy 4th” me shtrëngim dore.
Një gjest modesti që e tejkalon çdo rregull protokolli. As diplomacia publike e Trumpit dhe Biden-it, as buzëqeshja e Obamës nuk shkuan kaq larg.
Në një vend ku politikanët s’ta japin dorën pa kamerë, kryeparlamentari ynë po ndërton diplomacinë e kontaktit direkt – edhe me rojen.
Gashi i gardës, jo i gardhit!
Në këtë ritëm, pritet që në ceremoni të ardhshme, Gashi të përshëndesë edhe kamerat e sigurisë, makinat e blinduara dhe ndoshta – edhe satelitin e SHBA që monitoron Ballkanin. Thjesht, për respekt.
Shteti mund të mos ecë përpara, por sjellja – për fat të mirë – ecën për dore. Flaka














