VMRO-DPMNE shpall “revolucion dixhital” – realitet apo makijazh elektoral?
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka vlerësuar si shumë të suksesshëm procesin e dixhitalizimit gjatë vitit të parë të mandatit të saj. Në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga partia në pushtet, thuhet se vendi po përjeton një transformim rrënjësor digjital, ndërsa përpjekjet për modernizimin e administratës publike po japin rezultate konkrete.
Sipas VMRO-DPMNE-së, qeveria aktuale trashëgoi një sistem të prapambetur nga qeverisja e mëparshme, por në harkun e një viti janë bërë hapa të rëndësishëm përpara. Janë funksionalizuar 120 shërbime të reja elektronike në portalin uslugi.gov.mk, përfshirë dokumente si certifikata e lindjes, ajo e shtetësisë, e penalitetit, si dhe dokumenti për blerjen e armëve – të gjitha të vlefshme në formë digjitale.
Për të garantuar vlefshmërinë juridike të dokumenteve elektronike, janë miratuar ndryshime në Ligjin për Dokumentet Elektronike. Po ashtu, janë hapur qendra të reja të shërbimeve administrative në Aerodrom, Jegunovcë dhe Shtip, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që nuk kanë akses në internet.
Në aspektin e sigurisë, për herë të parë në vend është miratuar Ligji për Sigurinë Kibernetike, i cili synon të forcojë mbrojtjen e rrjeteve dhe sistemeve informatike nga rreziqet digjitale. Po ashtu, është miratuar edhe Ligji i ri për Median, i cili njeh juridikisht mediat online – një hap që konsiderohet i rëndësishëm për rregullimin e fushës mediatike.
Qeveria ka ndërmarrë edhe masa në drejtim të kontrollit të lojërave të fatit në internet. Deri më tani, janë mbyllur 226 organizatorë të paligjshëm që operonin online, të cilët sipas deklaratës, kanë pasur ndikim negativ sidomos te të rinjtë.
Brenda tetorit 2025, është paralajmëruar lansimi i një “Super Aplikacioni” qeveritar (SuperApp), përmes të cilit qytetarët do të mund të kenë qasje në dokumente si karta e identitetit, patenta e drejtimit dhe të dhëna të tjera personale, përmes një platforme të unifikuar dhe të sigurt.
“Ne po ndërtojmë themelet e ndryshimit”, thuhet në fund të deklaratës së VMRO-DPMNE-së, duke theksuar se përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe digjitalizimi i shtetit do të mbeten në fokus të politikave të ardhshme qeveritare.














