Arben Fetai dhe Bekim Qoku përballë dilemës së legjitimitetit demokratik – Sa vlen vota e qytetarit?
Redaksia Flaka
Në debatin politik të paszgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, çështja e legjitimitetit politik dhe demokratik është bërë qendrore, sidomos për përfaqësimin e votës shqiptare. Dy eksponentë të rëndësishëm të koalicionit opozitar VLEN, Arben Fetai dhe Bekim Qoku, kanë artikuluar qëndrime publike që synojnë të sqarojnë – por në fakt thellojnë – konfuzionin për burimin dhe natyrën e legjitimitetit politik, në një kontekst ku sistemi zgjedhor lokal ka specifika të qarta dhe të matshme.
Sistemi zgjedhor lokal: ku matet pesha reale e partive?
Në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet lokale zhvillohen në dy nivele, për këshilltarët komunalë, qytetarët votojnë për lista partish ose koalicionesh, dhe çdo subjekt politik garon me peshën e vet reale elektorale; dhe për kryetar komune, votimi është për individë, ku mbështetja shpesh është ndërpartiake, ndër-etnike apo edhe taktike.
Kjo do të thotë se votimi për këshill komunal është treguesi më i saktë i mbështetjes reale të një partie apo koalicioni, ndërsa fitoret për kryetarë komunash shpesh janë rezultat i aleancave të fshehta, mbështetjes së deklaruar nga parti të tjera (p.sh. VMRO për VLEN, apo LSDM për BDI) dhe ndikimeve jashtë komunitetit shqiptar.
Bekim Qoku – Një deformim i rrezikshëm i legjitimitetit etnik dhe demokratik
Deklarata e Bekim Qokut se “legjitimiteti i partive shqiptare mund të vijë jo vetëm nga populli, por edhe nga partia maqedonase që fiton zgjedhjet dhe zgjedh partnerin shqiptar të koalicionit”, përbën një keqinterpretim thelbësor të parimeve bazë të demokracisë përfaqësuese dhe një deformim të rëndë të legjitimitetit etnik në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut.
Legjitimiteti nuk dhurohet – ai fitohet me votë
Në sistemet demokratike, legjitimiteti politik buron vetëm nga vota e qytetarëve, dhe jo nga vullneti i një partie tjetër, sado e madhe apo “fituese” të jetë ajo. Kur flitet për përfaqësim politik të shqiptarëve, ai nuk mund të vijë si produkt i emërimit ose preferencës së një partie maqedonase, sepse kjo jo vetëm që nënvlerëson vullnetin elektoral të shqiptarëve, por e trajton përfaqësimin e tyre si një zgjatim i interesave të tjetrit.
Ky është një model që zhbën autonominë politike të faktorit shqiptar, duke e kthyer në një vegël të përzgjedhur të pushtetit dominant, sipas interesave momentale të një partie maqedonase.
Rikthimi i konceptit të “shërbëtorit të zgjedhur”
Qasja e Qokut ngjall kujtimet e modeleve të vjetra koloniale apo paternaliste, ku përfaqësuesit e një komuniteti të nënreprezentuar zgjidheshin nga “të mëdhenjtë” si bashkëpunëtorë të bindur. Në këtë kuptim, legjitimiteti etnik shndërrohet në një funksion të vullnetit të të tjerëve, e jo në reflektim të vullnetit të komunitetit përkatës.
Kjo nuk është demokraci konsociative, por asimilim i përfaqësimit politik, ku shqiptari i “zgjedhur” nuk është më zëri i elektoratit shqiptar, por pjesë e agjendës së partnerit maqedonas që e ka përzgjedhur.
Përfaqësimi etnik kërkon verifikim elektoral, jo validim nga pala tjetër
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, ku ekziston një balancë delikate ndërmjet komuniteteve, përfaqësimi legjitim i shqiptarëve nuk mund të vijë përmes mekanizmave të përzgjedhjes politike nga partitë maqedonase, por duhet të verifikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes kutive të votimit në zonat me shumicë shqiptare.
Këtu vlen të rikujtohet që funksioni i partive shqiptare në koalicionet qeverisëse nuk është dekorativ, por përfaqësues. Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë logjikë është mohim i pavarësisë së votës shqiptare, dhe rrëshqitje drejt legjitimimit të deleguar – që është në thelb antidemokratik.
Ky diskurs minon barazinë politike
Pohimi i Qokut krijon një asimetri të rrezikshme në diskursin politik: maqedonasit i përfaqëson partia që ata votojnë drejtpërdrejt dhe e zgjedhin në pushtet, ndërsa shqiptarët – sipas kësaj logjike – përfaqësohen nga ajo parti që zgjidhet nga fituesi maqedonas. Kjo e zhbën barazinë politike midis komuniteteve, një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit dhe vetë funksionimit të shtetit multietnik.
Arben Fetai – një interpretim politik i deformuar i realitetit zgjedhor
Kur Arben Fetai deklaron se “fitorja matet me kryetar komunash dhe jo me veta”, ai në fakt relativizon instrumentin më të drejtë për matjen e peshës politike së një subjekti – listat për këshill komunal. Në komunat shqiptare, shpesh ndodh që partitë maqedonase, të cilat nuk kanë shanse reale për të fituar në garën për kryetar komune, mbështesin kandidatët shqiptarë të njërit kamp, siç po ndodh me VMRO-DPMNE që paralajmëron mbështetje për VLEN-in.
Kështu, një kandidat për kryetar mund të fitojë edhe me vota maqedonase, pa pasur realisht mbështetjen më të madhe shqiptare. Në këtë kuptim, pohimi i Fetait se “fitorja matet me kryetar komunash” është politikisht i njëanshëm dhe metodologjikisht i pasaktë.
Kjo qasje e Arben Fetait për të barazuar fitoren në zgjedhjet lokale vetëm me marrjen e posteve të kryetarëve të komunave – duke injoruar votën për këshilltarë dhe peshen reale të subjekteve politike – nuk është e rastësishme.
Ajo buron nga strategjia e qartë e VLEN-it për të mbështetur fitoren e saj në votat e pritura nga VMRO-DPMNE, një praktikë të cilën më herët e kishte denoncuar publikisht edhe Arben Taravari, kur deklaroi se “VLEN i ka varur pushkët te VMRO-DPMNE”. Sipas kësaj logjike, partia maqedonase jo vetëm që ndihmon VLEN-in me vota në terren, por edhe negocion kandidaturat shqiptare në këmbim të pushtetit lokal deri në 40%, përfshirë drejtorë, sekretarë komunash dhe kryetarë këshillash komunalë.
Duke e ditur se VLEN nuk arrin të sigurojë shumicën te elektorati shqiptar, minimizimi i rolit të votës direkte bëhet një përpjekje e hapur për të legjitimuar skema të ndërtuara mbi marrëveshje ndërpartiake dhe jo mbi vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, deformohet nocioni i legjitimitetit demokratik, ndërsa përfaqësimi etnik kthehet në pazare politike, e jo në rezultat zgjedhor.
Diskursi i VLEN-it – mungesë koherence dhe përpjekje për të relativizuar dështimin?
Duke i parë bashkë, qëndrimet e Fetait dhe Qokut krijojnë një retorikë të pasigurt, që përpiqet ta justifikojë mungesën e legjitimitetit zgjedhor me logjikë të jashtme të sistemit: herë duke nënvlerësuar rëndësinë e votës për këshill komunal, herë duke bërë apel në “etiken e veprimit”.
Nëse në zgjedhjet parlamentare Fronti Europian (BDI & aleatët) ka fituar më shumë vota shqiptare, dhe në zgjedhjet lokale të ardhshme parashikohet që VLEN të marrë përkrahje nga VMRO-DPMNE për kandidatë të caktuar, atëherë është e qartë se fitorja për kryetar komune nuk është domosdoshmërisht tregues i përfaqësimit të vullnetit shqiptar, por shpesh rezultat i pazareve ndëretnike të fshehta.
Legjitimiteti demokratik ndërtohet mbi votë të pastër, jo mbi mbështetje taktike
Modeli zgjedhor në Maqedoninë e Veriut është i tillë që votimi për këshill komunal është forma më e pastër për të matur peshën reale të një partie. Të injorosh këtë fakt për të shpallur “fitore” mbi bazën e ndihmës nga partnerë të jashtë-komomunitetit, nuk është burim i legjitimitetit real popullor, por deforimim i vullnetit të shumicës.
Teoria mbi legjitimitetin demokratik dhe rasti i Maqedonisë së Veriut
Legjitimiteti demokratik është koncepti themelor që justifikon ushtrimin e pushtetit në një shoqëri pluraliste. Në literaturën politike, legjitimiteti zakonisht ndërtohet mbi tre shtylla kryesore:
Legjitimiteti elektoral (procedural)
Ky është legjitimiteti më i drejtpërdrejtë dhe më i matshëm: buron nga vota e lirë dhe e barabartë e qytetarëve. Në një shtet demokratik, një aktor politik konsiderohet legjitim vetëm nëse ka marrë mandatin përfaqësues përmes zgjedhjeve të ndershme, transparente dhe konkurruese. Në rastin e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ky legjitimitet verifikohet përmes votave të drejtpërdrejta të shqiptarëve.
Legjitimiteti i performancës (funksional)
Ky lloj legjitimiteti bazohet në aftësinë e një qeverie ose subjekti politik për të prodhuar rezultate, për të përmbushur premtime dhe për të ofruar shërbime për qytetarët.
Bekim Qoku përpiqet të mbështetet në këtë logjikë kur thotë se legjitimitetin mund ta japë edhe ndërtimi i një kanalizimi – pra, performanca dhe jo vetëm vota.
Legjitimiteti moral ose simbolik (përfaqësimi normativ)
Kjo formë legjitimiteti lidhet me perceptimin e qytetarëve se një përfaqësues apo qeveri është “e drejtë” ose “etike” në qëndrimet dhe veprimet e saj, edhe përtej rezultateve konkrete.
Ku lind problemi në rastin e VLEN?
Arben Fetai dhe Bekim Qoku, për arsye taktike dhe politike, zhvendosin theksin nga legjitimiteti elektoral tek një përzierje e legjitimitetit të performancës dhe të aleancave politike, duke minimizuar faktin se në zgjedhje kanë më pak mbështetje nga elektorati shqiptar.
Në thelb, ata tentojnë të relativizojnë votën si burimin kryesor të legjitimitetit, duke u mbështetur në:
- Aleanca me VMRO-DPMNE-në, që supozohet se “legjitimon” VLEN-in përmes dhënies së mandateve, posteve dhe mbështetjes për kandidatë në komuna shqiptare.
- Pretendime për “vlera” dhe “merita” përtej votës, si kapaciteti për të qeverisur apo për të qenë “ndryshe”.
Kjo qasje përbën një deformim të legjitimitetit demokratik, sepse:
- Shkel parimin e përfaqësimit etnik të barabartë – shqiptarët nuk përfaqësohen përmes përzgjedhjes nga një parti maqedonase.
- Zëvendëson votën me marrëveshje politike të fshehta, duke i dhënë legjitimitetit një bazë të paqëndrueshme dhe jodemokratike.
- Justifikon humbjen elektorale përmes logjikës së delegimit të pushtetit nga pala tjetër, gjë që minon autonominë politike të faktorit shqiptar.
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, legjitimiteti i partive shqiptare duhet të jetë parësisht etnik dhe elektoral – i verifikueshëm përmes votës së shqiptarëve. Çdo përpjekje për ta ndërtuar legjitimitetin përmes partive maqedonase, jashtë vullnetit të drejtpërdrejtë të votuesve shqiptarë, përbën jo vetëm shkelje të normave demokratike, por edhe cenim të parimit të barazisë ndëretnike dhe të përfaqësimit real.
Legjitimiteti nuk jepet nga lart – as nga partitë maqedonase – ai ndërtohet nga poshtë: nga qytetari, nga kutia e votimit. Flaka, një tjetër nivel














