Shteti i gjobave – Në vetëm 6 orë, 103 gjoba për shkelje trafiku
Në vetëm gjashtë orë kontroll të intensifikuar në territorin e Kavadarit, janë shqiptuar gjithsej 103 masa ndëshkuese ndaj shoferëve që kanë shkelur rregullat e trafikut, shkruan Flaka
Sipas njoftimit zyrtar të Sektorit për Punë të Trafikut pranë Departamentit për Policinë me Uniformë, në bashkëpunim me njësinë mobile për sigurinë në komunikacionin rrugor, më 7 korrik, nga ora 15:00 deri në 21:00, është realizuar një kontroll i përforcuar me fokus në shoferët që nuk respektojnë rregullat e trafikut.
Nga kontrollet, rezulton se janë ndëshkuar:
- 23 shoferë që kanë vozitur pa leje drejtimi,
- 8 shoferë me leje të skaduar dhe pa sigurim të vlefshëm,
- 5 shoferë nën ndikimin e alkoolit,
- 4 shoferë që vozitnin mjete me kategori të papërshtatshme,
- 36 motoçiklistë pa helmetë mbrojtëse,
- 6 automjete me xhama të zinj pa testin teknik A-test,
- 3 procedura janë nisur ndaj personave juridikë,
- Janë konfiskuar gjithashtu 4 motoçikleta dhe 2 automjete të tonazhit të rëndë, sipas nenit 344 të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor,
- Ndaj 18 pjesëmarrësve të tjerë në trafik janë ndërmarrë masa për shkelje të tjera të ndryshme.
Të gjithë shkelësve u janë përgatitur parashtresat përkatëse, ndërsa policia njofton se kontrollet e këtij lloji do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat për të kontribuar në sigurinë e përbashkët rrugore.














