Flaka thumbon: VLEN godet me Ylber Murtezin, arma sekrete kundër Edi Ramës
VLEN ka vendosur të bëjë diplomaci të lartë me mjetet më të ulëta: duke e zgjedhur Ylber Murtezin si zëdhënës për të sulmuar Kryeministrin shqiptar Edi Rama. Po, po – ai Ylberi. Jo i meteorologjisë, por i falsifikimeve.
Ylber Murtezi, i dënuar me një vit burg me kusht për falsifikim dokumentesh, është rikthyer në skenë – këtë herë si anëtar i Këshillit Republikan për Siguri të Trafikut dhe Rrugëve. Saktësisht aty ku i duhet kombit: në drejtim të sigurisë rrugore, që rrugët të mos jenë të falsifikuara si dokumentet e tij.
Një anëtar besnik i Alternativës, partia që po përpiqet të mbulojë mungesën e ideve me zëra si ky i Murtezit, është hedhur në sulm ndaj Ramës – një përballje epike midis një kryeministri dhe një figuranti politik me CV penale.
Në rrjetet sociale, reagimet nuk mungojnë. Qytetarët pyesin:
“A është ky personi më i mirë që kishte VLEN për të përfaqësuar shqiptarët në një debat rajonal?”
“A është siguria rrugore tani në duart e atyre që rrëshqasin edhe mbi letra?”
Një gjë është e sigurt: në Maqedoninë e Veriut, gjithmonë ka vend për një farsë të re politike. Dhe këtë herë, ajo quhet Ylber Murtezi në ofensivë patriotike – një spektakël që as Edi Rama nuk do e kishte imagjinuar në skenarët e tij më surrealë.
Shënim i redaksisë: Ky është vërtet lajmi që s’na duhej. Po na vjen turp edhe ta botojmë.
“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”
(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja). Flaka Media