Materazzi parashikon PSG-në në finale
Ish-mbrojtësi i famshëm italian, Marco Materazzi, kampion bote me Italinë në vitin 2006 dhe legjendë e Interit, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kupën e Botës për Klube që po mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për mediat ndërkombëtare, Materazzi ka vlerësuar lart organizimin dhe atmosferën e turneut, duke e cilësuar si një ngjarje që ka ngjallur entuziazëm të jashtëzakonshëm në publik.
“Është një turne i shkëlqyer që ka ngjallur entuziazëm të madh në publik,” tha Materazzi, duke theksuar rëndësinë e këtij formati të ri që përfshin klubet më të mira nga e gjithë bota.
Në prag të ndeshjes gjysmëfinale mes Real Madridit dhe Paris Saint-Germain, Materazzi dha parashikimin e tij për finalen e madhe:
“Reali i Madridit dhe Paris SG-ja do të luajnë një ndeshje shumë të fortë, kështu që nuk është e lehtë të parashikosh finalistin e asaj përballjeje. Megjithatë, do të shkoj për Paris SG-në. Deri tani kanë qenë skuadra më solide. Përveç kësaj, ata kanë gati dy skuadra të gatshme për të zbritur në fushë, duke i dhënë fleksibilitet dhe mundësi zgjedhjeje trajnerit të tyre.”
Ky vlerësim vjen në një moment kur PSG ka treguar formë të shkëlqyer në turne, duke eliminuar Bayern Munich në çerekfinale, ndërsa Real Madrid ka kaluar me vështirësi Borussia Dortmundin. Ndeshja mes dy gjigantëve europianë pritet të zhvillohet në MetLife Stadium në New Jersey, me fillim nga ora 21:00.
Materazzi, i cili ka fituar Kupën Interkontinentale me Interin në vitin 2010, e sheh këtë turne si një provë të rëndësishme për futbollin global dhe një paralajmërim për Kupën e Botës 2026 që do të mbahet po ashtu në Amerikën e Veriut.
Flaka














