Musiala falënderon botën e futbollit për mbështetjen pas dëmtimit
Pas një dëmtimi të rëndë që tronditi botën e futbollit në ndeshjen mes Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain në Botërorin e Klubeve, mesfushori gjerman Jamal Musiala ka reaguar për herë të parë përmes një video-mesazhi prekës në rrjetet sociale.
Musiala, i cili pësoi një frakturë të fibulës dhe dëmtim të ligamenteve pas një përplasjeje me portierin Gianluigi Donnarumma, falënderoi publikisht tifozët, bashkëlojtarët dhe komunitetin futbollistik për mbështetjen e jashtëzakonshme që ka marrë.
“Dua të falënderoj të gjithë për mbështetjen. Kjo do të thotë shumë për mua. Është mirë të shikoj botën e futbollit të bashkuar për këto çështje gjatë kësaj kohe. E vlerësoj shumë,” tha Musiala.
Ai konfirmoi se operacioni ka përfunduar me sukses dhe se është në gjendje të mirë shëndetësore. Në një ton të qetë dhe të pjekur, Musiala shmangu çdo përplasje me Donnarumman, duke theksuar se situata të tilla janë pjesë e lojës.
“Nuk fajësoj askënd për këtë. Situata të tilla ndodhin. Tani do ta përdor kohën për të rifituar forcën time. Mezi pres t’ju shoh përsëri,” shtoi ai.
Sipas stafit mjekësor të Bayern Munich, Musiala pritet të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë prej katër deri në pesë muaj, me rikthimin e tij të parashikuar në fazën e dytë të sezonit.
Ky reagim ka ngjallur emocione të forta në rrjetet sociale, ku figura të njohura të futbollit, përfshirë Alphonso Davies dhe Manuel Neuer, kanë shprehur solidaritetin e tyre me yllin gjerman.
Flaka














