Barcelona hedh sytë te Serie A – katër yje në listën e transferimeve
Pas refuzimit të Nico Williams për t’u transferuar në “Camp Nou”, Barcelona ka kthyer vëmendjen drejt Serie A, ku po kërkon me urgjencë një përforcim ofensiv për sezonin e ri. Sipas “TuttoMercatoWeb”, kampionët e La Ligës kanë në listën e tyre katër emra të rëndësishëm: Dusan Vlahovic, Kenan Yildiz (Juventus), Rafael Leao (Milan) dhe Ademola Lookman (Atalanta).
Vlahovic – më i afërti për transferim
Sulmuesi serb Dusan Vlahovic shihet si opsioni më i lehtë për t’u transferuar, pasi Juventus është i gatshëm të negociojë. Barcelona ka kontaktuar për të sonduar mundësinë e një marrëveshjeje, veçanërisht nëse lojtari vendos të ndërpresë kontratën me “Zonjën e Vjetër”.
Yildiz – i paprekshëm për Juventusin
Ndërkohë, Kenan Yildiz konsiderohet i paprekshëm nga drejtuesit e Juventusit, të cilët po përgatiten t’i ofrojnë një kontratë të re. Megjithatë, agjenti i tij Jorge Mendes ka zhvilluar bisedime me drejtorin sportiv të Barcelonës, Deco, për të eksploruar mundësitë.
Leao dhe Lookman – të disponueshëm, por të shtrenjtë
Rafael Leao dhe Ademola Lookman janë të hapur për negociata, por çmimi i tyre është sfidues për buxhetin e Barcelonës. Milan kërkon rreth 85 milionë euro për Leao, ndërsa Atalanta është e gatshme të pranojë më pak se 50 milionë euro për Lookman.
Bisedimet pritet të nisin brenda 48 orëve
Barcelona synon të rikuperojë kohën e humbur pas dështimit me Nico Williams dhe të sigurojë një lojtar ofensiv që mund të luajë në të gjitha pozicionet e sulmit. Zhvillimet e orëve në vijim pritet të jenë vendimtare për afatin kalimtar të kësaj vere.
Flaka














