Cilat janë sukseset e qeverisë Mickoski, në dobi të shqiptarëve, z. Arben Fetai?
Duke dëgjuar disa deklarata të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai, në një televizion në Kosovë (TV Kanal 10), mbeta i befasuar nga disa prej shprehjeve të tij të drejtuara kundër z. Ali Ahmeti.
Më shqetësues ishte fakti se një zëvendëskryeministër i një shteti tjetër vjen në Kosovë – pra në një shtet tjetër – dhe në vend që të flasë për sukseset e qeverisë që përfaqëson, me shumë dëshirë dhe lehtësi mban ligjërata kundër Ali Ahmetit. Për këtë temë, ai u tregua tejet i disponuar të fliste gjatë dhe pa kufi.
Nuk dëshiroj të luaj rolin e avokatit të askujt, as të z. Ali Ahmeti, sepse ai mbrohet nga vetë puna dhe sjelljet e tij gjatë gjithë periudhës së veprimtarisë politike. Por në këtë rast, dëshiroj që shqetësimin tim ta shpreh përmes disa pyetjeve – disa prej të cilave, në vetvete, përmbajnë edhe përgjigjet.
Të quash Ali Ahmetin “antikosovar” – dhe atë në një medium të Kosovës – është një përpjekje e qëllimshme për të shpërqendruar vëmendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke dhënë mesazhin që ata të mos merren me problemet e tyre reale e jetike.
Edhe nëse, për një çast hipotetik, do të pajtoheshim me cilësimin “antikosovar” për Ali Ahmetin, parashtrohet pyetja: çfarë përmirëson kjo deklaratë për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni?
Çfarë përfitimi sjell ky veprim i Arben Fetait për shqiptarët?
Opinionet për një njeri nuk ndërtohen mbi atë që thotë filani apo fisteku për të, por mbi veprimet e tij konkrete në shërbim të shoqërisë – qoftë për të mirën apo për të keqen e përgjithshme.
Sikur të ishte ashtu siç pretendon z. Fetai, atëherë lind pyetja logjike: si arriti Ali Ahmeti të qëndrojë kaq gjatë në pushtet?
Nuk po pretendoj se Ali Ahmeti nuk ka bërë gabime. Nuk po them as që ju nuk keni bërë dhe nuk po bëni gabime. Por po ju pyes miqësisht: a mund të na tregoni cilat janë sukseset tuaja dhe të qeverisë që përfaqësoni, në dobi të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?
Mund të shtrojmë edhe një pyetje tjetër, jo më pak të rëndësishme: cilat janë qëllimet e kësaj qeverie në raport me Bashkimin Evropian? A ka tendenca për t’i prishur këto raporte?
Nga ju kemi dëgjuar shumë për veprat e këqija të Nikolla Gruevskit, por nuk kemi dëgjuar ende për veprat e mira të Hristijan Mickoskit. A mund të na i renditni disa? Jo vetëm për mua, por besoj edhe për shumë qytetarë në Kosovë, dhe më së shumti për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Z. Arben Taravari fillimisht ishte me ju. Sa kohë ishte me ju, ishte “i mirë” për qeverinë. Apo jo? Por më pas ai u tërhoq. Pse? Sigurisht për shkak të një zhgënjimi të thellë që përjetoi nga pjesëmarrja në kabinetin e qeverisë ku jeni edhe ju.
Kur Arben Taravari për ju thotë se jeni “një karrierist i sëmurë”, ju përgjigjeni jo me argumente, por me zgërdhirje. Por, z. Fetai, zgërdhirja nuk është argument. Mund të jetë ves, por jo virtyt. Mund të jetë cinizëm, por jo përgjigje.
Dhe së fundmi, një pyetje tjetër që nuk është më pak e rëndësishme:
A ekzistojnë tendenca nga qeveria e Mickoskit për ta rikthyer gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në periudhën para vitit 2001?
Një situatë që do të ngjasonte me atë të vitit 1989 në Kosovë, kur Millosheviqi shfuqizoi autonominë e saj.
Historia tashmë ka dhënë përgjigje: dihet se kush ishin përkrahësit dhe kush ishin kundërshtarët e hegjemonisë serbe.
Dhe nëse, Z. Fetai, një ditë përsëritet një skenar i ngjashëm në Maqedoni, atëherë parashtrohet pyetja më e rëndësishme:
Në cilën anë do të jeni i rreshtuar ju, z. Arben Fetai?
Kaq për këtë herë.
Mbetsh me shëndet!
Dr. Jakup Ismajli
Shtime, 10.07.2025














