Mickoski, përmes megafonëve të tij, i dërgoi mesazhe BE-së – tone të ashpra ndaj Brukselit
Përmes zërave të afërt me partinë, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri aktual, Hristijan Mickoski, ka dërguar një mesazh të qartë dhe sfidues drejt Bashkimit Evropian, shkruan Flaka. Në një paraqitje në emisionin “Për ose Kundër” në Alfa TV, bashkëpunëtorja strategjike për politikën e jashtme e Mickoskit, profesoresha universitare Biljana Vankovska Trajkov, deklaroi: “Për ne, negociatat me çdo kusht nuk ekzistojnë! Nëse çmimi është Maqedonia, gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas – thjesht nuk negociojmë!”
Sipas saj, mbrojtja e identitetit kombëtar është një vijë e kuqe për partinë që aktualisht drejton Qeverinë. Por kjo deklaratë është cilësuar si e papërgjegjshme dhe antievropiane nga përfaqësues të skenës politike dhe analistë të pavarur.
Në të njëjtën kohë, partneri i koalicionit në pushtet, ZNAM, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Raportit për Maqedoninë të miratuar në Parlamentin Evropian. Kreu i kësaj partie, Maksim Dimitrievski, e cilësoi ditën e djeshme në Strasburg si një nga më të drejtat për vendin, duke bërë thirrje për unitet politik dhe ndërtimin e një platforme të përbashkët kombëtare.
Dimitrievski nuk kurseu as kritikat ndaj disa eurodeputetëve, të cilët i akuzoi për qëllime të dyshimta pas maskës së diplomacisë moderne: “Diplomatë modernë me qëllime nga koha e fashizmit,” – u shpreh ai, duke theksuar se vendimet për të ardhmen e Maqedonisë duhet të merren vetëm brenda kufijve të vendit dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve.
Tensionet rreth kursit evropian të vendit po rriten, ndërsa dallimet mes partnerëve në qeveri dalin gjithnjë e më qartë në sipërfaqe. Flaka














