Petar Bogojeski akuzon Bujar Osmanin: E ngatërroi më shumë krizën me Bullgarinë
Petar Bogojeski, ish-zyrtar qeveritar dhe kryetar i lëvizjes “Makedonski Koncept”, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të politikanëve shqiptarë lidhur me përplasjet e fundit mes Shkupit dhe Sofjes. Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Bogojeski i ka bërë thirrje politikanëve shqiptarë që të qëndrojnë jashtë debatit rreth marrëdhënieve maqedono-bullgare, duke e krahasuar këtë ndërhyrje me një ndërhyrje të mundshme të maqedonasve në çështjet mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Ndërhyrja shqiptare në mosmarrëveshjen maqedono-bullgare është njësoj si ndërhyrja maqedonase në një mosmarrëveshje shqiptaro-kosovare! Ky është problemi ynë ‘familjar’, ashtu siç është edhe ai tjetri problemi juaj ‘familjar’!” – shkruan Bogojeski.
Ai thekson se përplasjet me Bullgarinë nuk janë aq shumë çështje të vetë bullgarëve, por rezultat i një historie të komplikuar me rrënjë të thella, ku fajtori sipas tij është ndikimi rus:
“Ne kemi një grindje të vjetër familjare midis maqedonasve të Maqedonisë dhe maqedonasve të Bullgarisë. Këtu, bullgarët etnikë nuk kanë shumë faj! Këtë grindje na e ka shkaktuar Rusia dhe ajo zgjat tashmë prej dy shekujsh!”
Në postimin e tij, Bogojeski kritikon edhe ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, për qëndrimet e tij ndaj Bullgarisë dhe Bashkimit Evropian:
“Shikoni shembullin e Bujar Osmanit?! Çfarë bëri? Vetëm i ngatërroi gjërat dhe tani përpiqu t’i rregullosh! Turp!”
Ai i bën thirrje shqiptarëve që të tregojnë përmbajtje dhe të mos ndërhyjnë në këtë konflikt:
“Këshilla ime vëllazërore për shqiptarët: tregohuni të përmbajtur! Mos u përzieni në punët e të tjerëve, nëse nuk doni që edhe ne të ndërhyjmë në tuajat!”
Sipas tij, ndërhyrjet nga jashtë – qoftë nga shqiptarët, serbët, grekët apo turqit – vetëm do të përkeqësonin situatën:
“Grindjen midis nesh maqedonasve mund ta zgjidhim vetëm ne – askush tjetër! Kemi inat, është e vështirë, por do t’ia dalim! Ndërhyrja e shqiptarëve, serbëve, grekëve, turqve… vetëm do ta ndërlikojë situatën pafundësisht!”
Në fund, Bogojeski thekson se përballë ndikimit rus, Maqedonia e Veriut ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare – por jo nga fqinjët:
“Ne kemi telashe të mëdha me Rusinë… aty kemi nevojë për ndihmë nga bota! Por jo nga Ballkani – nga bota!”
Deklarata e tij vjen në një moment kur tensionet diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë përshkallëzuar, pas një shkëmbimi të ashpër deklaratash midis kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.
Ask ChatGPT














