Thellohet përçarja – MPJ e Bullgarisë dënon deklaratën e Mickoskit: Po minoni besimin mes dy vendeve
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Bullgarisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të djeshme të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të cilat i cilësoi si fyese dhe të papërshtatshme për një komunikim ndërqeveritar.
Reagimi i Bullgarisë erdhi pasi Mickoski, duke komentuar deklaratat e ministrit të Jashtëm bullgar Georg Georgiev – i cili e kishte quajtur atë “kryeministër maqedonasverior” – tha se “i ishte dhënë detyra të ngacmonte, njësoj si kur një mi ngacmon një luan”.
“Epo, nuk do të komentoja për atë djalë. Ju bëj thirrje juve, mediave, lëreni atë djalë aty. Kjo është një qeveri që drejtohet nga dikush tjetër në sfond, ata njerëz duhet të punojnë dhe i thanë, i dhanë detyrën, ‘vazhdo dhe ngacmo’. Është njësoj si kur një mi ngacmon një luan”, tha Mickoski në prononcimin e tij për mediat.
Ministria bullgare, në një reagim zyrtar, deklaroi:
“Ministria e Jashtme Bullgare dënon kategorikisht gjuhën e papranueshme dhe ofenduese të përdorur nga Hristijan Mickoski në fjalimin e tij drejtuar ministrit të Jashtëm bullgar. Përdorimi i përsëritur i mbiemrave vulgarë ndaj përfaqësuesve të shtetit bullgar jo vetëm që minon besimin tashmë të brishtë midis dy vendeve tona, por vë në pikëpyetje edhe angazhimin autentik të udhëheqjes politike në Maqedoni ndaj Marrëveshjes së Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017.”
MPJ bullgare shton gjithashtu se kjo retorikë nuk përputhet me synimin e shpallur të Maqedonisë së Veriut për t’u integruar në Bashkimin Evropian:
“Procesi i anëtarësimit në BE kërkon respekt të ndërsjellë, përgjegjësi dhe pjekuri politike – elemente që, për fat të keq, mungojnë në këtë rast.”
Përplasja diplomatike mes dy vendeve është intensifikuar pas miratimit të raportit për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, ku kërkesat e eurodeputetëve bullgarë çuan në heqjen e termave “gjuha maqedonase” dhe “identiteti maqedonas” nga dokumenti final. Mickoski reagoi ashpër ndaj kësaj lëvizjeje, duke ndezur një cikël të ri tensionesh në marrëdhëniet Shkup–Sofje. Flaka














