Lautaro dhe Thuram zbusin tensionet – rikthehet harmonia te Interi
Pas javësh me tensione të brendshme, duket se qetësia është rikthyer në kampin zikaltër. Dyshja sulmuese e Interit, Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram, të njohur si “ThuLa”, kanë lënë pas mosmarrëveshjet që shpërthyen pas eliminimit nga Kupa e Botës për Klube.
Gjithçka nisi me deklaratat e nxehta të kapitenit Lautaro, që kritikoi indirekt Hakan Çalhanoglu. Reagimi i mesfushorit turk në rrjetet sociale u mbështet nga një “like” i Turamit, gjë që u interpretua si një distancim nga Lautaro dhe sinjal alarmi për unitetin e skuadrës.
Trajneri i ri, Cristian Chivu, u përball me një sfidë të papritur në nisje të aventurës së tij, por situata është zbutur. Një takim privat mes dy sulmuesve dhe një “kafe pajtimi” kanë ndihmuar në shuarjen e tensioneve.
Ironikisht, rrjetet sociale që ndezën polemikat, tani sinjalizojnë afrimin mes tyre. Në një postim të Lautaros në Instagram, Thuram komentoi me humor: “Bëj kujdes se nuk di të notosh” – një shenjë miqësie që ka rikthyer buzëqeshjet në mjedisin zikaltër.
Ky zhvillim është një lajm i mirë për Interin, që mund të nisë sezonin me një grup të bashkuar dhe një partneritet sulmues të rikthyer në formë.
Flaka














